Lajme

Forumi në Vjenë, Rama: Do t’i kalojmë pengesat për në BE

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka bërë bashkë në një takim kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Forumin “Ekonomia takohet me politikën”.
I pranishëm ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa Kurz ka publikuar foto nga takimi në Vjenë. Ai shprehet i kënaqur për takimin me liderët e Ballkanit, ndërsa shton se Austria po bën gjithçka për integrimin e rajonit në BE.
“Ishte kënaqësi të filloja javën me një takim me 5 liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Johanes Hahn për të diskutuar për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE dhe bashkëpunimin rajonal. Mbështetja e BE-së për Ballkanin Perëndimor është një nga prioritetet e Presidencës sonë. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE. Për mua, BE-ja është e plotë vetëm kur Ballkani të jetë pjesë e saj”, shprehet Kurz.
Kreu i qeverisë shqiptare falënderoi homologun austriak, Sebastian Kurz, për qasjen europiane drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Më duhet të falënderoj kancelarin që na priti këtu dhe duhet të them që për vendet e Ballkanit Perëndimor vizita në Austri është si të jemi në Austri. Kjo është një ditë e bukur për të gjithë ne.
E para që jemi shumë të përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe jemi shumë mirënjohës për punën mbikëqyrëse të Komisionerit Hahn.
Dhe e dyta, që jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë se është një proces që asgjë nuk është e lehtë, por jam i sigurt se ne do t’i kalojmë problemet, dhe do u japim njerëzve atë që meritojnë.
I jam mirënjohës kryeministrit Kurz për qasjen europiane dhe këtë luftë të dëshpëruar për të liberalizuar vizat e Kosovës”, tha Rama.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, Kosovës Ramush Haradinaj, Serbisë Ana Brnbibiq dhe i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ndërsa Zoran Zaev nuk do të marrë pjesë për shkak të situatës politike në Shkup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë