Kosova

Forumi i Paqes, mediat e huaja: Kurti dhe Vuçiç mund të takohen sot në Paris

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ndodhen ditën e sotme në Paris(10 nëntor) për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Edicioni i gjashtë dyditor i këtij forumi mund të kthehet në shansin për një përballje të drejtpërdrejtë mes dy liderëve, por për këtë nuk dihet ende asgjë me saktësi, shkruan Euractive.

“Përveç punës dhe darkës në këtë forum prestigjioz, mund të ketë edhe një takim trepalësh me Presidentin e Serbisë, i cili gjithashtu ka qenë i ftuar atje. Me vete do të kem ekipin tim prej gjashtë anëtarësh nga kryeministria”, tha Kurti.

Si Vuçiç ashtu edhe Kurti do të kenë takime të rëndësishme me përfaqësues të vendeve evropiane në margjinat e takimit, të cilat do të jenë sërish një mundësi për t’u thënë atyre se duhet të ndërmarrin hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmbushjes së detyrimeve nga marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars. 

Kurti shtoi se është i gatshëm për dialog dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. 

Ndërmjetësi i takimit mund të jetë presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili do të ketë një bisedë kokë më kokë me Vuçiç. Plani franko-gjerman i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit ndërsa Serbia duhet të bëjë njohjen de facto. 

Të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë