Motosport

Formula magjike e Red Bull-it! Pse diferenca me të tjerët është vështirë të ngushtohet

Gazeta Si - Formula magjike që e bën Red Bull-in të fluturojë nuk është e thjeshtë të kopjohet. Përndryshe Ferrari, Mercedesi, MekLaren dhe Aston Martin do ta kishin bërë. Makina RB19, që dominoi lehtësisht sezonin e fundit (21 fitore në 22 gara) është e vetmja që tregon gjithë potencialin si në kualifikuese, edhe në gara. Kjo makinë është e shpejtë në çdo cirkuit.

Meritë e një ngarkese të madhe erodinamike dhe një qëndrueshmërie mekanike perfekte. Ekuilibri i makinave të projektuara nga Adrian Njuei është sekreti i vërtetë i triumfeve të dy sezoneve të fundit.

Askush si gjeniu anglez nuk ka mundur ta interpretojë kaq mirë rregulloren e re teknike, që ka hyrë në fuqi në 2022-shin dhe ka shenjuar një revolucion, me rikthimin e efektit tokësor që është eksperimentuar në F.1 gjatë viteve ‘70-80.

Tani shfrytëzohet ajri që kalon poshtë fundit të makinës për të rritur forcën dhe për të përmirësuar rendimentin në kthesa. E thjeshtë vetëm me fjalë. Realisht, që në fillim inxhinjerët hasën problemin e kërcimit me shpejtësi të lartë nga afërsia e makinës me asfaltin, ose i ashtuquajturi “porpoising”.

Së më shumë ulet makina për efektin tokësor, aq më shumë ndeshet ky fenomen. Një problem që është më i prekshëm në pistat me gunga apo me ulje-ngritje, në cirkuitet që janë në qytet. Red Bull ka bërë diferencën pikërisht në kapërcimin e kësaj vështirësie, ka reduktuar ndikimin negativ në paraqitjet e tij, ndryshe nga Mercedesi dhe Ferrari.

Adrian Njuei, inxhinieri që e bën Red Bull-in të pakapshëm. Gazeta Si, 21 dhjetor 2023

Nuk është rastësi që skuderia nga Milton Keynes qëndroi në maja edhe kur rregullorja u modifikua në 2022-shin, duke nisur nga gara e Spa. Ishte e lehtë për të gjetur përmasat e duhur, duke u nisur nga projekt i studiuar. RB18 dhe RB19 kanë pasur të përbashkët administrimin shumë të mirë të gomave. Si në kualifikuese, kur ato duhej të nxeheshin shpejt, ashtu edhe në gara, kur duhej ruajtur temperatura optimale për të evituar degradimin.

Ferrari ka arritur objektivin e parë, por jo të dytin. Edhe skuadrat e tjera kanë çaluar në një aspekt, ose në tjetrin. Askush nuk ka mundur të arrijë nivelin e Red Bull-it. Rendimenti konstant i RB19 përkthehet në një lehtësi drejtimi, në kthesat e ngadalta dhe të shpejta. Prandaj dhe në 2024-ën, me rregullat të pandryshuara, do jetë sërish kampioni Maks Vershtapen favorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë