Motosport

Formula 1 zbulon pistën e Jedah, plot me kthesa dhe shpejtësi mesatare 250 km/h

Pritet me shumë kuriozitet Çmimi i Madh i Arabisë Saudite, që zhvillohet këtë fundjavë dhe kjo është gara e parafundit e Botërorit 2021 në Formula 1. Për herë të parë garohet në Arabi, vendi i 34-t që pret një Çmim të Madh. Jedah është vendi i përzgjedhur për garën në pistën e realizuar nga Hermann Tilke, për të cilën dihen pak detaje.

Gara do të ketë 50 xhiro, do të zhvillohet nën dritën e prozhektorëve dhe starti është parashikuar për në orën 18:30 (20:30 ora lokale). Sigurisht që kjo pistë e re ka sekretet e saj.

Pamje nga pista e Jedah. Gazeta Si, 1 dhjetor 2021

Cirkuiti është përgjatë bregdetit dhe ka një gjatësi prej 6.174 kilometrash. Ky është cirkuiti më i gjatë brenda një qyteti në kalendar dhe me shumë mundësi, edhe më i shpejti. Shpejtësia mesatare parashikohet të jetë më shumë se 250 km/h, duke pasur parasysh provat që janë bërë. Mes 27 kthesave që ka pista, kthesa 13 është më e vështira. Është një kthesë në të majtë, me “banking” prej 12 gradësh, që i sforcon jo pak gomat.

Puna me strategjinë që skuderitë do të ndjekin në këtë garë nuk është e lehtë. Jedah ka më shumë kthesa se të gjitha pistat në kalendar, që do të thotë se konsumi i gomave do të jetë më i madh. Disa zona të cirkuitit janë të ngushta dhe nuk lënë mundësi parakalimi për shkak të mureve që janë shumë afër pistës.

Mundësia për të parë në pistë “Safety Car” është shumë e madhe dhe kjo peshon në planet e garës. Një tjetër element shumë i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me ndryshimin e temperaturave, pasi ka oshilacione të ndjeshme nga një sesion te tjetri.

Nje nga kthesat me te veshtira te pistes. Gazeta Si, 1 dhjetor 2021

FP1 dhe FP3 (provat e lira) do të zhvillohen pas perëndimit të diellit, vetëm FP2 të së premtes dhe kualifikueset e së shtunës janë programuar për në orën 20:00 dhe do të kenë kushte të përafërta me ato të garës. Sipas parashikimit të motit, gjatë garës do të jetë nxehtë dhe do të ketë lagështi. Duke qenë se nuk është përdorur më parë, cirkuiti me shumë mundësi do të jetë i pistë dhe i rrëshqitshëm.

Nga një përllogaritje e bërë gjatë provave rezulton se pilotët do t’i përdorin frenat në këtë circuit për 9.6 sekonda në total, pak a shumë sa në pistën e Imolës, që është 1.3 kilometra më e shkurtër.

Nga nisja te flamuri me kuadrate frenat do të jenë në përdorim për 14% të kohës. Kthesa e fundit është e fortë për impiantin e frenave, sepse aty makinat vijnë pasi kanë frenuar për herë të fundit në kthesën 22. Para kthesës 27 makinat arrijnë shpejtësinë 317 km/h, para se të përdorin frenat për 2.6 sekondat e nevojshme për të zbritur në 110 km/h.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë