Motosport

Formula 1 vajton Niki Laudan, kampionin që jetoi dy herë

Një lajm i hidhur për të gjithë dashamirësit e automobilizmit: ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare ish-piloti austriak i Formula 1, Niki Lauda, i cili vuante nga një sëmundje në veshka. Lauda po kurohej në një klinikë në Zvicër, por nuk mundi ta mposhtte sëmundjen e rëndë. Lajmi është bërë i ditur nga familja e ish-pilotit. “Me trishtim të thellë ju njoftojmë se Niki ynë i dashur ndërroi jetë paqësisht me familjen e tij pranë ditën e hënë”, – shkruhet në njoftimin e familjarëve. Tetë muaj më parë Lauda kishte kryer një transplant në mushkëri.

Niki Lauda, një legjendë e Formula 1, është shpallur tri herë kampion bote, dy herë me Ferrarin dhe një herë me McLaren. Ka mbajtur edhe postin e presidentit të nderit te Mecedesi. Ka lindur në Vjenë, më 22 shkurt të vitit 1949. Ai është konsideruar nga të gjithë si një nga pilotët më të mirë të Formula 1. “Rezultatet e tij unike si pilot dhe si drejtues janë të paharrueshme, ashtu si entuziazmi i tij i jashtëzakonshëm për të punuar çdo ditë. Një njeri shumë kurajoz, një model dhe një pikë referimi për të gjithë ne. Ishte një familjar shumë i dashur dhe do të na mungojë shumë”, – shkruan më tej familja e ish-pilotit në njoftimin për ndarjen nga jeta të Laudas.

Makina e Niki Laudas në flakë, në pistën e Nurburgringut, në vitin 1976, kur austriaku mbijetoi

Në vitin 1976, Niki Lauda bëri një aksident të rëndë, që la pasoja në trupin e tij, por për fat të mirë ia doli të mbijetonte dhe të jetonte një jetë të dytë. Lauda kaloi për një moment mes flakëve të Ferrit në pistën e Nurburgring, në Çmimin e Madh të Gjermanisë, më 1 gusht të 1976-ës. Makina e tij po digjej, kur Harald Ertl, Gui Eduards e Bret Lunger dhe Arturo Merzario ndërhynë me shpejtësi dhe e nxorën jashtë. Qëndroi disa ditë në spital, në gjendje të rëndë, sepse ai incident i tmerrshëm kishte lënë pasoja në mushkëritë e austriakut. Jeta e dytë e Niki Laudas nisi më 5 gusht, kur u deklarua se ishte jashtë rrezikut. Mund të ishte mbyllur aty jeta e tij, me një titull, por ai u kthye dhe fitoi edhe dy herë të tjera, në 1977-ën me Ferrarin dhe në 1984-ën me McLaren.

Në jetën e suksesshme të ish-pilotit nuk mund të mungonte një film, “Rush”, që tregon rivalitetin e tij me Xhejms Hant. Vlerësimet kanë qenë të shumta, në vitin 1993 u fut në “International Motorsport Hall of Fame”. Sigurisht, e meritonte, sepse Lauda ishte pa dyshim një nga pilotët më të mëdhenj të historisë së Formula 1. Jetoi, vdiq pothuajse, jetoi sërish dhe në fund u largua nga kjo jetë përgjithmonë.

 

Më Shumë