Motosport

Formula 1, një pistë e re në Arabinë Saudite brenda 2021-shit

Nga viti i ardhshëm, pistat e garave të Formula 1 mund të shtohen në 22, ose edhe në 24. Arabia Saudite mund të jetë vendi që do të shtohet në hartën e “Çmimeve të Mëdha” të Formula 1 që prej vitit 2021. Sipas asaj që shkruan sot e përditshmja angleze “Times”, u është kërkuar një mendim skuadrave për përfshirjen e mundshme të Arabisë Saudite në kalendarin e botërorit.

Drejtuesit e skuadrave janë parimisht dakord, por kanë kërkuar siguri për disa çështje të rëndësishme në vendin saudit, siç janë ato të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe lirisë së shtypit. Në vitin 2021 pritet një shtim i numrit të pistave dhe nga 21, që janë aktualisht, të bëhen 22 ose 24. Një hipotezë që është përmendur fundjavën e kaluar në Hungaroring nga Matia Binoto i Ferrarit. Në Lindjen e Mesme zhvillohen dy gara aktualisht: Sakhir në Bahrein dhe Yas Marina në Abu Dhabi.

Në dhjetor të vitit ta kaluar, në qytetin Ad-Diriyah në Arabinë Saudite u zhvillua gara inauguruese e Formula E, në një cirkuit në rrugët e qytetit dhe që u fitua nga portugezi Antonio Feliks Da Kosta i BMV-së. Shumë shpejt në Arabi do të ketë edhe një pistë të Formula 1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë