Motosport

Formula 1, koronavirusi shtyn garën e Kinës

FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) ka konfirmuar zyrtarisht se gara e Kinës nuk do të zhvillohet për shkak të epidemisë së koronavirusit. Kjo garë ishte në program për t’u zhvilluar më 19 prill, por tashmë është shtyrë për një datë të pacaktuar. Vendimi i “Liberty Media”, që organizon Botërorin e Formulës 1, është zyrtarizuar nga FIA, duke pranuar kështu kërkesën e autoriteteve kineze.

“Urojmë që të garojmë në Kinë sa më parë të jetë e mundur! Urojmë gjithashtu që situata në Kinë të stabilizohet sa më shpejt dhe populli kinez ta kalojë momentin e vështirë”, shkruhet në njoftimin e FIA-s, që me kalimin e kohës do të fiksojë edhe datën, kur do të zhvillohet gara e shtyrë. Në fakt, nuk është e lehtë, sepse kalendari është i ngjeshur. Viti 2020 ka një kalendar rekord, pasi për herë të parë janë programuar 22 gara, përveç pushimit trejavor në gusht.

“Qëllimi është të garantohet së pari shëndeti i pilotëve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në garë. FIA ka kontakte të vazhdueshme me autoritet lokale kineze, që po monitorojnë situatën. Nëse do të krijohen kushtet e përshtatshme, gara mund të zhvillohet në gjysmën e dytë të vitit. “Çmimi i Madh i Kinës” është një pjesë e rëndësishme e kalendarit të Formulës 1, pasi pjesëmarrja e fansave është e madhe. FIA monitoron në mënyrë konstante situatën globale sa i takon përhapjes së viruseve, që rrezikojnë eventet e automobilizmit”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FIA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë