Motosport

Formula 1 humbet një gjigant, shuhet Frenk Uilliams në moshën 79-vjeçare

Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare Frenk Uilliams, një nga figurat më të njohura të Formulës. Lajmi është bërë i ditur nga fqaja zyrtare e Formulës 1 dhe skuderisë së themeluar prej tij.

"Me trishtim të thellë, në emër të familjes Uilliams, skuadra bën me dije se ka ndërruar jetë Sër Frenk Uilliams, themelues dhe ish-drejtues kryesor i Uilliams Racing".

Frenk Uilliams me te bijen, Kler Uilliams. Gazeta Si, 28 nentor 2021

Uilliams ndërroi jetë në spital, pranë familjarëve të tij. Ai qëndronte në një karrige me rrota pas një aksidenti automobilistik në 1986-ën. Deri në vitin 2012 bënte pjesë në këshillin administrativ të skuderisë që e themeloi vetë në 1977-ën. Në vitet e fundit ia delegoi gjithçka së bijës Kler, që mori gradualisht komandën e skuadrës deri në shtator të 2020-ës, kur Uilliams iu shit fondit amerikan Dorilton Capital.

Skuderia Uilliams ka fituar 9 tituj për konstruktorë, të fundit në 1997-ën me Zhak Vilnëv. Edhe Botërorët e fituar nga pilotët e Uillimsit janë shtatë.

"Ishte një gjigant i vërtetë i sportit tonë, ka fituar sfidat më të vështira të jetës dhe ka luftuar çdo ditë për të fituar në pistë dhe jashtë saj. Rezultatet e tij të pabesueshme dhe personaliteti i tij do të mbeten përgjithmonë në sportin tonë”, - ka thënë Stefano Domenikali, administratori i deleguar i F.1.

Jost Capito, administrator i Uilliams, për themeluesin e kësaj skuderie ka thënë: "Ishte unik në llojin e tij, një pionier i vërtetë. E ka udhëhequr skuadrën tonë për 16 kampionate, pavarësisht vështirësive në jetën e tij, dhe e ka bërë Uilliamsin një nga skuderitë me më shumë suksese në historinë e Formulës 1. Vlerat e tij, mes të cilave integriteti, puna në grup dhe krenaria mbeten etika e skuadrës sonë dhe trashëgimia e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë