Motosport

Formula 1 humb edhe Singaporin, hipotezë për dy gara në Amerikë

Tjetër ndryshim në kalendarin e Botërorit të Formula 1 2021: është anuluar gara e Singaporit, e parashikuar për t’u bërë më 3 tetor. Vendimi është marrë, sepse shtrëngimi i masave anti-Covid në qytetin-shtet nuk lejon hyrjen e personelit për garat. Kina dhe Turqia janë në listë për rikuperimin e kësaj gare, por hipoteza më e mundshme është që të garohet dy herë në Amerikë, edhe më 17 tetor.

Lajmin e ka dhënë e para BBC-ja, më pas është konfirmuar nga zëdhënësi i F1. Janë shumë të forta masat anti-Covid sa i takon hyrjes në qytet-shtetin aziatik për të lejuar vazhdimin e organizimit të garës së Formula 1. Presidenti i saj, Stefano Domenikali, gjithmonë ka theksuar se nuk dëshiron që të bëhen më pak se 23 gara në kampionatin aktual, kështu që Singapori do të zëvendësohet.

Cirkuiti i Austin mund të presë dy gara. Gazeta Si, 5 qershor 2021

Në Singapor Covid-i ka shkaktuar pak viktima, 33 persona kanë humbur jetën, ndërsa rastet e infektimeve kanë qenë rreth 62 mijë. E gjitha kjo për shkak të rregullave shumë të forta në vend: karantinë 21 ditë dhe kufizime të natyrave të ndryshme. Këto rregulla kanë shpëtuar Singaporin, ndërsa organizatorët e F1 mendojnë se nuk mund t’ia dalin për të organizuar garën.

Për të mos ulur numrin e garave, F1 po mendon planin B, me hipotezën më të mundshme për dy gara në “Circuit of the Americas di Austin”, ku më 24 tetor është programuar Çmimi i Madh i Amerikës. Një garë e dytë mund të zhvilohej më 17 tetor, një javë para. Hipoteza të tjera janë Turqia dhe Kina.

Duke qenë se vaksinat në nivel botëror mund të ndryshojnë disa skenarë muajt e ardhshëm për eventet sportive, janë edhe të tjera gara në rrezik: Japonia, ku ka skepticizëm të madh edhe për Olimpiadën dhe për rrjedhojë edhe për garën e 10 tetorit, Meksika dhe Brazili (31 tetor dhe 7 nëntor), dy nga vendet me numrin më të lartë të viktimave, Australia, ku duhet të garohet më 21 nëntor, por rregullat anti-Covid, si në Singapor, duken shumë të forta për të lejuar organizimin e garës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë