Motosport

Formula 1/ FIA me dorë të hekurt, gjoba deri në 1 mln euro për ata që shkelin rregullat

Gazeta Si – Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka vendosur t’i penalizojë pilotët dhe skuadrat e Formulës 1 me gjoba më të ashpra se në të kaluarën. Gjatë mbledhjes së ‘World Motor Sport Council’ në Gjenevë, FIA ka bërë të ditur se komisarët sportivë kanë të drejtë të vendosin gjoba 4 herë më të larta, nëse do të ketë shkelje të kodit sportiv.

Specifikisht, stjuardët që deri më sot mund të vendosnin sanksione maksimumi deri në 250.000 euro, tani mund të shkojnë deri në 1 milion euro për ata që konsiderohen fajtorë për sjellje jokorrekte.

Një vendim i fortë, që presidenti Mohamed Ben Sulajem e ka argumentuar me faktin se limiti i mëparshëm nuk ishte riparë gjatë 12 viteve të fundit dhe se nuk u përgjigjej nevojave të motorsportit aktual. Duhet thënë se bëhet fjalë për shifra që nuk janë parë deri tani. Skuadrat dhe pilotët zakonisht janë gjobitur me 5000 euro për shkeljet më të zakonshme, duke shkuar në shifra më të larta në raste shumë të rralla.

Në Çmimin e Madh të Katarit, për shembull, Ljuis Hemilton u gjobit me 50.000 euro, sepse kaloi pistën gjatë garës, pas kontaktit me shokun e skuadrës Xhorxh Rasëll. Ai pagoi vetëm 25.000 euro, sepse pjesa tjetër u pezullua me kushtin që të paguhet vetëm në rast përsëritjeje gjatë muajve të fundit.

Nuk është vetëm Formula 1, Federata i ka miratuar sanksionet edhe për kampionatet e tjera: Formula E, Wec dhe Botërorin Rally, me gjoba deri në 750.000 euro. Mbetet të shihet, nëse edhe gjobat për shkeljet më banale do të rriten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë