Motosport

Formula 1, edhe tre cirkuite refuzojnë garën për sezonin 2020

Formula 1 nuk do të garojë gjatë 2020-ës në Singapor, Suzuka dhe Baku. Organizatorët e “Çmimit të madh” në cirkuitin e “Marina Bay” kanë zyrtarizuar qëndrimin kundër zhvillimit të garës për këtë sezon, për shkak të masave të marra për pandeminë e Koronavirusit. “Shëndeti i të gjithë personave të përfshirë është në plan të parë, – ka komentuar Colin Syn, zëvendëspresident i “Çmimit të madh të Singaporit. – Pas shumë muajsh të vështirë, kemi marrë këtë vendim, të mos e organizojmë garën”.

Të njëjtën zgjedhje kanë bërë edhe Azerbajxhani dhe Japonia dhe po kështu pritet të veprojë edhe Vietnami. Një javë pas zyrtarizimit të tetë garave të para të Botërorit të Formulës 1, të gjitha në Europë, vijnë edhe refuzimet e radhës. Pas Australisë dhe Tajlandës, edhe Singapori, Azerbajxhani dhe Japonia kanë vendosur të mungojnë në këtë sezon, sigurisht të detyruar nga pandemia e Kovid-19.

Refuzimi i radhës pritet të vijë nga Vietnami, por pandemia po krijon probleme të mëdha edhe në Amerikën e Jugut, duke vënë në rrezik garat. Këtu duhet shtuar edhe cirkuiti i Teksasit, që po kalon një krizë të thellë ekonomike. Për këtë arsye, F1 mund të vazhdojë në Europë përtej 6 shtatorit, duke parë vullnetin e FIA-s për një kampionat me 15-18 gara që duhet të mbyllet në mes të dhjetorit në Abu Dhabi.
Burimi: Sportmediaset/Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë