Motosport

Formula 1, çfarë është dhe si funksionon gara Sprint që debuton në Silverston

Zhvillohet sot pasdite, në distancën e 100 kilometrave, gara Sprint, që u jep pikë vetëm tre pilotëve të parë. Klasifikimi në këtë garë përcakton edhe pozicionin e makinave në nisjen e Çmimit të Madh të Silverston, që zhvillohet të dielën.

Gara e 10-të sezonale që zhvillohet në Britaninë e Madhe është e destinuar të hyjë në arkivat e Formulës 1 para se makinat të zbresin në pistë. Arsyeja? Cirkuiti i Silverston do të presë të parën garë Sprint, ose “Sprint Qualifying” të F.1. Për çfarë bëhet fjalë? Si funksionon, sa pikë marrin pilotët? Le t’i shohim me detaje.

Hemilton niset i pari ne garen Sprint. Gazeta Si, 17 korrik 2021

E krijuar për të ndryshuar disi fundjavën tradicionale të Formulës 1 dhe për të përfshirë publikun më të ri, gara Sprint është aprovuar nga komisioni i FIA-s më 26 prill 2021. Bëhet fjalë për një format të ri gare, një garë të shkurtër 25-30 minuta, në program të shtunën, me rezultatin final që përcakton edhe renditjen e makinave për startin tradicional të garës të së dielës.

Për herë të parë gara Sprint zhvillohet në pistën e Silverston dhe i pari sot do të niset Ljuis Hemilton, i cili regjistroi kohën më të mirë në “Pole Position”. Më pas eksperimenti do të vazhdojë në Monca më 12 shtator dhe me shumë mundësi në Interlagos më 7 nëntor, nëse kjo garë do të bëhet.

Për Çmimin e Madh të Britanisë 2021, të premten skuadrat kanë bërë provat e lira dhe një turn normal kualifikuesesh klasike Q1, Q2 dhe Q3 me goma të buta në dispozicion. Rezultati i këtyre kualifikueseve ka përcaktuar edhe renditjen e makinave në momentin e nisjes së garës Sprint që zhvillohet sot, me Hemiltonin të parin.

Nje makine Ferrari ne provat e se premtes. Gazeta Si, 17 korrik 2021

Për sot në mesditë janë parashikuar FP2 (60 minuta) me zgjedhje të lirë nga skuadrat të gomave. Pasdite pastaj zhvillohet gara Sprint me distancën e 100 kilometrave. Gjatësia është fikse për çdo garë në vazhdim, ndërsa Çmimi i Madh tradicional i së dielës do të ketë distancën e 300 kilometrave. Gara Sprint nuk ka asnjë pit-stop. Është një model gare pa strategji dhe mendohet të jetë më nxitëse për pilotët. Makinat do të qëndrojnë në pistë pa ndërruar gomat dhe pa u furnizuar me benzinë.

Në Silverston, ku cirkuiti është 5.891 km i gjatë, gara Sprint parashikon 17 xhiro në total. Klasifikimi pas kësaj gare vendos edhe pozicionin e makinave në startin e garës që zhvillohet të dielën. Pra, ai që mbërrin i pari në finishin e garës Sprint, niset i pari të dielën. Gara Sprint nuk do të ketë ceremoni podi, për të mos hequr emocionet e Çmimit të Madh.

Duke marrë në konsideratë gjatësinë shumë më të vogël se gara tradicionale e së dielës, gara Sprint e së shtunës u jep pikë vetëm 3 pilotëve të parë, respektivisht 3 pikë të parit, 2 të dytit dhe 1 të tretit. Nuk ka pikë për xhiron më të shpejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë