Futboll

Mançester Siti kampion i Europës për herë të parë në histori, Interi ‘k.o’

Gazeta Si – Ka përfunduar 1-0 në favor të Mançester Sitit finalja e Championsit në Stamboll. Për herë të parë në histori skuadra angleze e sheh veten në olimpin e futbollit europian, falë një goli të mesfushorit Rodri në pjesën e dytë. Interi ishte pa fat, pasi në një rast u ndal nga traversa, ndërsa portieri Ederson bëri mrekullinë ndaj një gjuajtjeje të Lukakut në fund.

Simone Inzagi, ashtu siç pritej, aktivizoi Xhekon nga minuta e parë në sulm, përkrah Lautaro Martinez. Lukaku e nisi nga stoli, ashtu si dhe Mkhitarian, që i la vendin Brozoviçit, kapiten i skuadrës në këtë ndeshje. Në anën tjetër, trajneri Pep Guardiola bëri vetëm një ndryshim. Ai aktivizoi titullar Ake dhe jo Uollker, ndoshta për shkak të gjendjes fizike të këtij të fundit.

Ndeshja pati pak emocione dhe dominimi i Sitit ishte vetëm territorial. Guardiola humbi edhe belgun De Bryjne për dëmtim pjesën e parë. Vetëm në një rast Haland u shfaq rrezikshëm në zonë, ku u ndal nga Onana. Edhe Lautaro Martinez nuk u tregua i saktë përballë Ederson, pasi pati në këmbë një top pas gafës së Akanzhit.

Episodi që vendosi ndeshjen ishte ai i minutës së 68-të, kur Rodri gjeti goditjen fituese dhe çoi topin në rrjetë. Interi reagoi mirë dhe Dimarko ishte pa fat, kur u ndal nga traversa e pastaj nga Lukaku. Foden kishte shansin të mbyllte ndeshjen me golin e dytë, por gaboi përballë portierit të Interit. Ederson në anën tjetër bëri një mrekulli pas gjuajtjes me kokë të Lukakut.

Siti administroi mirë edhe 5 minutat shtesë dhe pastaj shpërtheu festa e ligjshme e anglezëve në stadiumin "Ataturk' të Stambollit.

Episodet

Përfundon ndeshja, 1-0.

89' - Ederson bën mrekullinë, duke ndalur me këmbë një gjuajtje me kokë të Lukakut nga afër portës.

84' - Mkhitarian dhe D'Ambrozio në fushë, dalin Calhanoglu dhe Darmian.

82' - Uollker merr vendin e Stons te Siti.

77' - Foden deli i vetëm përballë portierit Onana dhe nuk arrin ta kalojë, duke humbur një rast të pastër për golin e dytë.

76' - Gosnes dhe Belanova marrin vendet e Bastonit dhe Dumfris.

70' - Dimarko i afrohet golit të barazimit, por topi përplaset në traversë. Pa fat Interi, pasi në tentativën e dytë Dimarko pengohet nga Lukaku.

68' - Rodri gjuan saktë përballë portës, pas një aksioni të Bernardo Silvës nga e djathta. Siti kryeson 1-0.

58' - Gafë e Sitit në mbrojtje. Akanzhi lë topin për portierin, por ia dhuron Lautaro Marinez, i cili ndalet nga Ederson.

57' - Lukaku merr vendin e Xhekos tek Interi.

36' - De Bryjne largohet nga fusha i dëmtuar, vendin e tij e merr Foden.

27' - Haland provon me një gjuajtje brenda zonës, ndalet nga portieri i Interit, Onana.

Mançester Siti-Inter 1-0
Mançester Siti:
Ederson, Ake, Ruben Diaz, Akanzhi, Stons, Rodri, Bernardo Silva, Gundogan, De Bryjne, Grilish. Haland. Trajner: Guardiola.
Inter: Onana, Darmian, Açerbi, Bastoni, Barela, Brozoviç, Çalhanoglu, Dumfris, Dimarko, Lautaro Martinez, Xheko. Trajner: Inzagi.
Arbitër: S.Marciniak (Poloni)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë