Ekonomi

FMN përkeqëson parashikimin për ekonominë e Shqipërisë, do të tkurret nga 5 në 7.5%

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit të tetorit ka përkeqësuar parashikimin për ekonominë e Shqipërisë. Projeksioni i FMN-së për 2020-ën për Shqipërinë është se do të tkurret 7,5 % nga 5% parashikimi i mëparshëm i muajit prill.

FMN në raportin që analizon ekonominë globale dhe efektet e krizës së COVID-19, thotë se  ekonomia e Shqipërisë do të ketë një ngjitje të gjatë dhe e vështirë, po rënia është më pak e ashpër sesa pritej.

Vlerësimi për tkurrjen u deklarua më herët nga misioni i FMN-së në Shqipëri në një vizitë virtuale gjatë periudhës 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP).

Sipas raportit tkurrja e ekonomisë së Shqipërisë është e ndryshme nga ajo globale, ku rënia, megjithëse e thellë, është më pak e fortë sesa ishte parashikuar në qershor, për shkak se rënia në shumë vende në tremujorin e dytë nuk rezultoi aq e ashpër sa pritej.

FMN pret që ekonomia shqiptare të rritet me 5.4% në vitin 2021, që është rishikuar në ulje në krahasim me raportin e prillit prej 8%. Në 2022, ekonomia do të zgjerohet me 3.4%.

Inflacioni në vend pritet të jetë anemik, në 1.4% në vitin 2020, për tu rritur lehtë në 1.7% në vitin 2021 dhe vetëm në 2022 do të shkojë në objektivin e  Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Deficiti i llogarisë korente (flukset e hyrjeve dhe daljes së valutës) pritet të përkeqësohet ndjeshëm në -11.7% të Prodhimit të brendshëm Bruto (PBB) nga -7.6% në 2019-n, për të rënë në vitet në vijim.

FMN në raport thotë se rezultatet do të ishin shumë më të dobëta po të mos ishin përgjigjet e konsiderueshme, të shpejta dhe të paprecedenta fiskale, monetare dhe rregullatore që ruajtën të ardhurat e disponueshme për familjet, mbështetën flukset e parave për firmat dhe suporti që u dha për kreditë. Kolektivisht këto veprime kanë parandaluar deri më tani një përsëritje të katastrofës financiare të 2008-20009.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë