Ekonomi

FMN në Shqipëri: Masa fiskale për rritjen e pagave në shtet, ose inflacioni rritet përsëri. Kujdes kreditë!

Nga Gazeta 'SI' - Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar misionin në Shqipëri dhe në deklaratën e fundit është fokusuar tek rritja e pagave në sektorin shtetëror.

Sipas përfaqësuesve të FMN-së, kjo do të sjellë një rritje të inflacionit, që do të detyrojë Bankën e Shqipërisë të shtrëngojë më tej politikën monetare.

FMN shton se rritja  e buxhetit për paga në publik, duhet të koordinohet me masa fiskale.

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.

Në fund të vizitës, Weber bëri deklaratën në vijim: “Ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4.8% , mbështetur nga kërkesa e fortë konsumatore, flukset hyrëse të turizmit dhe aktiviteti i ndërtimit.

Këtë vit, FMN pret që rritja ekonomike të jetë e moderuar, rreth 3%, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Besimi i vazhdueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin ekonomik për këtë vit.

“Parashikimi kushtëzohet nga një pasiguri e madhe. Rritja ekonomike e partnerëve tregtarë më e ngadaltë se pritshmëritë mund të ndikojë eksportet dhe rritjen ekonomike në Shqipëri. Inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke ndikuar edhe në pagat e sektorit privat. Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm, si faktor në prodhimin e energjisë elektrike, mund të sjellin një përsëritje të goditjeve të ofertës. Nga ana tjetër, ekonomia mund të jetë përsëri më e qëndrueshme se pritshmëritë, falë ecurisë së fortë në turizëm", shtoi Weber.

Ajo u dakordësua me ndryshimet e fundit në ligjin për të ardhurat teksa bëri thirrje dhe për reforma të tjera për administrimin e të ardhurave, përfshirë rritjen e pajtueshmërisë së individëve të pasur, plotësojnë përpjekjet e politikave tatimore. Përparimi i vazhdueshëm i reformave strukturore fiskale do të forcojë menaxhimin e financave, investimet dhe monitorimin e rrezikut, sipas Weber.

Përfaqësuesja e FMN, e përfundoi deklaratën e saj me bankat, duke thënë se stabiliteti i tyre dhe kapitali mund të gërryhet nëse vazhdon rritja e kredive me probleme.

Në këtë kontekst, mirëpresim përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për forcimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, përfshirë krijimin gradual të shtesave më të mëdha të kapitalit bankar. Ne inkurajojmë monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, rrezikut të kursit të këmbimit dhe atij të normave të interesit. Mbledhja e më shumë të dhënave mbi sektorin e pasurive të paluajtshme do të jetë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit makroprudencial", përfundon grupi i FMN.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë