Financa Personale

FMN e shqetësuar, gratë janë goditur më shumë nga recesioni COVID-19

Qeveritë duhet të veprojnë tani!

Recesioni i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit po dëmton gratë më shumë sesa burrat, duke zhbërë potencialisht vitet e progresit. Nëse ligjvënësit nuk rrisin përpjekjet për të përmirësuar kushtet për gratë, situata do të përkeqësohet më tej, paralajmërojnë ekonomistët pranë Fondin Monetar Ndërkombëtar.

"Pandemia Covid-19 kërcënon të tkurrë të ardhurat ekonomike të grave, duke zgjeruar hendekun gjinor që vazhdon pavarësisht 30 vite përpjekje dhe përparime në këtë drejtim," thanë zyrtarët e FMN të udhëhequr nga drejtori menaxhues Kristalina Georgieva.

Për dallim nga recesioni i vitit 2008, të cilin e pagëzuan me nofkën "man-cession", humbjet e vendeve të punës në këtë krizë të re janë veçanërisht të mprehta në fushat ku gratë përfaqësohen në mënyrë disproporcionale - veçanërisht ato që kanë të bëjnë me ndërveprimet ballë për ballë, si tregtia me pakicë, turizmi dhe mikpritja.

Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, gratë mbanin më shumë se gjysmën e punëve në fushat e argëtimit dhe të mikpritjes para pandemisë, sipas Byrosë së Statistikave të Punës. Ekonomistët thonë se do të duhet një kohë e gjatë derisa sektori të kthehet atje ku ishte para se Covid-19 të bënte të pamundur zhvillimin e shumë veprimtarive ekonomike përballë masave distancuese sociale.

Ndikimi i krizës tek gratë gjithashtu po ndjehet më shumë, të cilat kanë përgjegjësi të tjera si kujdesi për kohë më të gjatë për fëmijë pasi shkollat janë mbyllur.

Edhe ndërsa ekonomia amerikane ka filluar të rimëkëmbet, ekspertët parashikojnë se do të duhet një kohë e gjatë që tregu i punës të kthehet në forcën e tij të mëparshme. Dhe një rihapje e vonuar ose mbyllje e dytë mund të çojë në humbjen e vendeve të punës përsëri.

Qëndrimi në shtëpi i tejzgjatur

Mbylljet e shkollave dhe kopshteve e çerdheve  kanë zgjatur kohën e qëndrimit në shtëpi për miliona, një situatë që zakonisht ndikon më shumë tek gratë sesa burrat, sipas FMN-së. Gratë kanë akoma më shumë të ngjarë të mbajnë barrën e detyrimeve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët, gjë që mund t'i pengojë ato të kthehen në punë edhe pasi ekonomia të rihapet, thotë FMN në raportin më të fundit të saj për pabarazinë gjinore edhe gjatë krizës COVID-19. Dhe sa më gjatë që njerëzit nuk kanë punë, aq më e vështirë është që ata të kthehen në tregun e punës.

Raporti i vendeve të punës në Kanada për muajin maj tregoi se baballarët e fëmijëve nën moshën 6 vjeç kishin rreth tre herë më shumë të ngjarë të ishin kthyer në punë në krahasim me nënat, tha FMN.

Në vendet në zhvillim, gratë gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të punojnë në sektorin informal të ekonomisë - duke punuar për para në vend që të jenë të përfshira në një punësim formal. Kjo do të thotë më pak siguri në punë, më pak kursime dhe asnjë përfitim shëndetësor.

Epidemitë e kaluara kanë treguar që vajzat kanë më shumë të ngjarë se djemtë të braktisin shkollën, gjë që çon në një humbje të përhershme të kapitalit njerëzor.

Çfarë mund të bëjnë qeveritë

FMN thotë megjithatë që ndikimi joproporcional ndaj grave të krizës së shkaktuar nga pandemia mund të lehtësohet me politika specifike.

"Ajo që duhet për gratë është adresimi i pabarazisë së të ardhurave, rritjes ekonomike dhe rezistencës," thuhet në raport.

Sipas  FMN-së, ligjvënësit mund të zgjasin ndihmën e papunësisë, ose të ofrojnë stimuj për të balancuar punën dhe përgjegjësitë e përkujdesjes familjare, si dhe të ofrojnë qasje në kujdesin shëndetësor dhe planifikimin e familjes.

Disa vende tashmë janë duke zbatuar politika të tilla. Kombet e ndryshme europiane, përfshirë Italinë dhe Austrinë, kanë zbatuar një të drejtë ligjore për leje për prindërit me fëmijë nën një moshë të caktuar, dhe Franca ka zgjeruar pushimin për prindërit e prekur nga mbyllja e institucioneve arsimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë