Është nisur sot nga Rinasi avioni i parë i “Air Albania” me studentët e ekselencës që do të udhëtojnë drejt Stambollit.
Ai që i ka përcjellë ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër para nisjes.
Duke u uruar rrugë të mbarë, ai është shprehur se studentët e ekselencës janë këmba më e mbarë për të nisur historinë e fluturimeve të kompanisë së parë ajrore shqiptare.
“Këtë fluturim të parë të muajit të testit e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës, është një fluturim simbolik. Gjatë gjithë muajit do të ketë disa të tillë. Arsyeja se përse na shkoi mendja te ju, është sepse jeni, fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë. Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit. Tani do ia jap fjalën një vajze, që e kam takuar për herë të parë në gjimnazin ‘Ali Demi’ në Vlorë, ndërsa sot është studente e ekselencës por nuk jam i autorizuar ta ndaj publikisht, por i uroj vërtetë t’ia dalë”, tha Rama.
Pasditen e së premtes, avioni Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar, u ul në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku do të zhvillohet dhe një ceremoni inaguruese.
Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.
Cila është kompania “Air Albania”
Në qershor të këtij viti, qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania”. Tre ortakët e saj janë; nga pala shqiptare “Albcontrol” me 10%, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Qeveria lajmëroi në atë kohë se “Air Albania” do të ofrojë më shumë mundësi për fluturime “low cost” nga Shqipëria.
Marrëveshja trepalëshe e miratuar nga qeveria shqiptare më 11 shtator që u botua në Fletoren Zyrtare të mërkurën, i hapi rrugën themelimit të kompanisë Air Albania, e cila nisi fluturimin test me studentët e fondit të ekselencës drejt Turqisë nga Aeroporti i Rinasit.
Tre ortakët e shoqërisë “Air Albania”, sipas marërveshjes nuk mund të tjetërsojnë apo shesin kuotat që kanë në kompani për një periudhë 5-vjeçare.
Shtetasi turk Sinan Dilek do të jetë Administratori i parë i shoqërisë.
Kompania, sipas vendimit, do të ketë një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh (rreth 800 euro), ndërsa të tre partnerët angazhohen të financojnë shoqërinë brenda pesë ditësh nga themelimi në masën 200 mijë USD.
Marrëveshja i jep gjithashtu kompanisë turke Turkish Airlines fuqi më të madhe administrimi në krahasim me kuotat e aksioneve që disponon ndërsa i jep të drejtën që të propozojë administratorin, i cili duhet të miratohet nga asambleja e aksionerëve. E drejta e propozimit i takon aksionerit turk që ka 49% të aksioneve, pavarësisht se dy aksionerët e tjerë kontrollojnë shumicën e thjeshtë prej 51% të aksioneve sëbashku.
Sipas marrëveshjes, nëse “MDN nuk përmbush detyrimet e saj , Këshilli i Ministrave do të zëvendësojë MDN me një ortak të ri të pranuar nga Turkish Airlines.
MDN u themelua në Vlorë më 3 maj 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.