Arsim

Fluks regjistrimesh për kuotat e lira në universitete, afati shtyhet deri në 18 tetor

Nga Gazeta Si- Dita e parë e regjistrimeve për në fazën e tretë që startoi ditën e djeshme (4 tetor) ka nisur me fluks aplikimesh në portalin UAlbania.al.

Në këtë portal, të gjitha universitetet publike në vend kanë publikuar kuotat e lira të dala nga dy fazat e para të regjistrimeve. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj në një prononcim për Gazetasi.al tha se që në ditën e parë të regjistrimit në fazën e tretë, ishin 500 maturantë që zgjodhën degët përkatëse për të studiuar në Universitet. Xhelaj tha se procesi është në vazhdimësi dhe deri në datën 18 tetor që është afati i ri i vendosur nga Ministria e Arsimit, numri pritet të rritet edhe më shumë.

“Në ato degë ku ka më pak kuota sesa aplikime, Universitetet do të nxjerrin një renditje dhe në bazë të kësaj do vazhdojë regjistrimi për sa kuota ka në dispozicion, kurse në ato degë ku kërkesa e maturantëve është më e ulët sesa numri i kuotave, universiteti mund të vijojë me procesin direkt në portal. Janë rreth 3000 mijë maturantë që janë pjesë e portalit dhe mund të regjistrohen. Ata që nuk e kanë kryer procesin e regjistrimit në portal duhet ta kryejnë që të kenë mundësi që të regjistrohen në Fakultetet që duan”, tha Xhelaj.

Sipas Xhelaj, Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve të regjistruar, i ndjekur nga Mjekësia dhe Politekniku. Ndërsa nga universitete rajonale është Durrësi, i ndjekur nga Elbasani, Shkodra dhe Vlora.

UT, kuotat më pak të preferuara në degët kimi, filozofi, gjuhët e huaja dhe gjeografi

Në shumë universitete ka ende kuota të lira, ndërsa interesi i ulët për degët si kimia, filozofia, gjuhët e huaja rrezikon mos hapjen e tyre.

Nga një vëzhgim në portalin UAlbania.al vërehet se në Universitetin e Tiranës, në degën e italishtes janë 101 kuota të lira, nga 130 kuota fillestare. Në gjuhën frënge janë regjistruar deri më tani vetëm 11 studentë, në gjuhën turke vetëm 7 studentë dhe në gjuhën spanjolle vetëm 4 studentë.

Më tej renditet gjeografia me 84 kuota të lira të parealizuara, nga 152 kuota fillestare, filozofia me 66 kuota, 55 kimia, biologjia 53 kuota të lira dhe historia 52 kuota të mbetura, nga 80 kuota fillestare.

Universiteti Politeknik, degët më pak të preferuara: inxhinieri matematike, inxhinieri tekstili dhe mode

Edhe Universiteti Politeknik i Tiranës ka publikuar në portalin UAlbania.al kuotat e lira në këtë fazë të tretë të regjistrimeve në Universitet. Sipas renditjes së degëve të UPT, konstatohet se degët e reja të hapura kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit si tekstil mode, inxhinieritë matematike, ekonomike apo minerare ka kuotat më të shumta të parealizuara.

Degët e inxhinierisë matematike e materiale kanë aktualisht 51 dhe 57 kuota të lira dhe 45 inxhinieria gjeologjike.

Universiteti Bujqësor, kuota të lira në degët e inxhinierisë së mjedisit dhe agrare

E njëjta situatë konstatohet dhe në degët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku degët me më shumë kuota të lira janë degët e reja të hapura së fundmi në këtë universitet, siç janë inxhinieria agrare apo ajo e mjedisit, apo dega e ekonomisë dhe politikat e zhvillimit rural të cilat numërojnë 39 kuota të parealizuara.

Për këto degë që duhet se janë të mbivendosura, po mendohet ndryshimi i kurrikulave dhe grupimi i tyre në një degë të përbashkët.

Këtë vit janë regjistruar në sistem rreth 20 mijë maturantë nga 30 mijë në total, që kanë kërkuar të vazhdojnë studimet e larta në universitetet publike apo private në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë