Lajme

Flota e re e autoambulancave, Rama: Shndërruam urgjencën

Në Sheshin “Nënë Tereza” është inauguruar sot flota e re e autoambulancave të Urgjencës Mjekësore.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se janë bërë hapa të ndjeshëm për modernizimin e këtij shërbimi.
“Sot kemi një urgjencë kombëtare mjekësore të digjitalizuar që është në gjendje t’i përgjigjet në kohë reale çdo thirrjeje. Nuk ka më histori që bie zilja e telefonit apo telefoni del gjithmonë i zënë se është lënë në atë telin që rrotullohet poshtë, ndërkohë që dezhurni i spitalit gërhet në qejf të vet. Këto nuk ishin 400 vjet përpara as 40 vjet përpara, por ishin 4-5 vjet përpara. Çdo shërbim sot regjistrohet online, ndërkohë që koha e ndihmës së parë është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme.
Rama u shpreh se qeveria do të vazhdojë me shumë vendosmëri të investojë dhe përmirësojë të gjithë sistemin e shërbimit parësor.

Po ashtu tha se rrogat për mjekët dhe infermierët do të rriten sërish gjatë vitit të ardhshëm, por përsëri është larg me atë që duhet të jetë.
“Pagat e mjekëve dhe infermierëve, janë larg së qeni ashtu siç duhet të jenë, por janë larg me atë çfarë ka qenë, por janë shumë larg me çfarë ishin. Vitin e ardhshëm do të rriten pagat e mjekëve dhe infermierëve”, u shpreh Rama.
Rama bëri dhe një apel për mjekët e rinj, duke i ftuar që të mos largohen nga vendi: “Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë prezantimit të “Flotës së re të autoambulancave”, u shpreh se modernizimi i tyre nuk do të ofrojë vetëm transportin, por edhe përkujdesjen shëndetësore të pacientëve.
“Të garantojmë cilësi më të mirë të shërbimit. Nëse autoambulanca ofronte vetëm transport, tani ofron edhe shërbimin e përkujdesit shëndetësor. Është një investim që nuk përfundon këtu. Nuk mund të themi se në rrugët e Shqipërisë, nuk do të gjejmë autoambulanca që nuk presim të kemi brenda vitit 2021. Ne do të kemi një flotë të autoambulancave brenda 2021”, u shpreh ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë