Politike

Flirtimet e Shpëtim Idrizit me Edi Ramën (ai që nuk e ‘beson’ është Gazment Bardhi)       

Nga Gazeta Si - Kryetari i grupit parlamentar i PD-së Gazment Bardhi zhvilloi një bisedë të shkurtër me Shpëtim Idrizin në oborrin e Kuvendit të cilëve më pas iu bashkuan edhe deputetë të tjerë. Shpëtim Idrizi nuk i është bashkuar Federatës së Opozitës së Bashkuar, nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhjeve të PD-së (edhe pse u bë deputet duke u vënë në një vend të sigurt në listë nga PD në 2021) dhe ka shmangur çdo kontakt me aleatët e tjerë të djathtë sa herë që këta të fundit janë përpjekur të ndërmarrin ndonjë iniciativë që shkon përtej PD-së.

Të enjten, Shpëtim Idrizi bashkë me dy deputetët e tjerë Mesila Doda dhe Gëzim Ademaj bashkuan votat me PS-në për marrëveshjen Rama-Meloni. Ky nuk është bashkimi parë i PDIU-së me PS. Një gjë të tillë PDIU-ja e bëri edhe një vit më parë kur opozita kërkoi shkarkimin e Lindita Nikollës.

Sot, (e enjte) Mesila Doda la te hapur votat edhe per aministine. “Do varet shumë nga shtresat që përfitojnë nga amnistia... Do duhet ta lexoj draftin, se s’kemi një draft përfundimtar”, tha Doda.

A ka një shkëputje politike të PDIU-së nga PD-ja dhe vetë opozita? Mesila Doda dha një përgjigje aty për aty kur u pyet, duke thënë se ishte konkluzion i medias, ndërsa vetë Idrizi ka heshtur.

Ai që foli në emër të Idrizit ishte Gazment Bardhi ‘i bindur’ se ajo bisedë që kishte zhvilluar vetëm pak minuta në oborr me të nuk kishte nxjerrë ndonjë deviacion të PDIU-së me kampin tjetër.

“Votat e PDIU-së për marrëveshjen nuk janë divorc me opozitën. Një parti parlamentare në momente të caktuara mund të marrë vendime të caktuara. Ka pasur një shpjegim dhe nuk kam asgjë për të shtuar në këtë çështje, nuk ndikon në aftësinë për të qenë apo mos të qenë në opozitë”, tha Bardhi. Ai e justifikoi votën e PDIU-së, por ra në kundërshti kur e konsideroi me tej marrëveshjen Rama-Meloni si një pakt që cenonte sigurinë kombëtare.

Mesila Doda nuk e sheh në këtë prizëm marrëveshjen kur tha se vota e PDIU-së ishte për Italinë si shtet mik.

Mbetet për tu parë qëndrimi i PDIU-së që për hir të së vërtetës nga eksperienca e kaluar politike ajo ka treguar se ka flirtuar jo pak me PS-në jo vetëm këtë legjislaturë por edhe të kaluarat.

Ajo që dihet me siguri deri më tani është se Shpëtim Idrizi i PDIU-së nuk është parë në asnjë prej aktiviteteve të opozitës e aq më shumë në nismat apo axhendat politike që kjo forcë ka ndërmarrë. Dhe kjo nuk mund të mohohet as me një takim aty për aty në oborrin e Kuvendit e as me deklaratat ‘joshëse’ që bindin vetëm Bardhin se kontaktet e PD-së së Rithemelimit me këtë force politike nuk kanë munguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë