Libra

Flet shkrimtari i Trainspotting: S’mendoja se do t’u jepte formë brezave

Nga Sean O'Hagan/ The Guardian – Shkrimtari skocez flet rreth 25-vjetorit të romanit të tij të famshëm, Brexit-in si katalizator i ndryshimit demokratik dhe efektet gjallëruese të boksit

Trainspotting është 25 vjeç. A  e kishit idenë kur po e shkruanit se do të bëhej fenomen, kulturor dhe komercial?

Në të vërtetë jo. Zhurma e parë u gjenerua mes një seksioni të caktuar të qejflinjve kulturorë të Londrës, turma ish-punk. Ata e perceptuan menjëherë. Për shkak të subjektit, që përfshin drogat e rënda, mendoja se do të bëhej një libër kult, por jo një përkufizues brezash, siç e kanë cilësuar të tjerët prej asaj kohe. Është e çuditshme, por ka marrë një jetë krejt të vetën prej asaj kohe,  saqë kur e shoh në raftet e librarive, ndihem sikur e ka shkruar dikush tjetër.

Keni shkruar katër romane të tjerë prej asaj kohe me të njëjtët personazhe, përshirë të këtij viti “Pantallonat e Burrave të Vdekur” dhe janë bërë dy filma: shumë i vlerësuari Trainspotting i 1996 –ës nga Danny Boyle dhe pasuesi, T2 Trainspotting, i 2017-ës. Renton, Begbie me shokë,  duket se kanë shumë domethënie për ju.

Të jem i sinqertë, nuk mendoj shumë rreth tyre vetëm nëse jam duke shkruar për ta. Ajo që dua të them është se ata po bënin ca zgjedhje që shumë njerëz po i bëjnë tani. Ata po përballeshin me një krizë ekzistenciale – cili është qëllimi ynë nëse jemi të tepërt? Atëkohë ata u tallën – gjithë ata burra të humbur,  pa punë, komunitet apo një kuptim të përbashkët të qëllimit në jetë. Tani, ky është bërë një problem i klasës së mesme, gjithashtu.

Jetoni në Majami tani. A ktheheni shpesh në Edinburg?

Herë pas here po. Jam kureshtar për mënyrën sesi Edinburgu është bërë model suksesi për të gjithë qytetet britanike, në termat e të ashtuquajturit rigjenerim. Shtyji klasat punëtore në skaje, fotografo qendrën e qytetit dhe mbushe me studentë shik, super të pasur dhe turistë. Edinburgu ka qenë gjithmonë një qytet i klasës punëtore, megjithëse jo proletar, por industrial si Glasgou. Kjo ka ndryshuar dhe,  qytete të tjerë e kanë ndjekur atë model.

https://www.youtube.com/watch?v=5qYt81VVr-8
Trailer i filmit "Trainspotting" (1996)

Pse Majami?

Është botë e madhe dhe jam endacak. Dua të shoh sa më shumë që mundem. Jetoj në plazhin e Majamit, që është shumë interesant. Nëse dal shëtitje, është plot me njerëz që mburren dhe krekosen. Narcizizmi është i ngulitur në kulturë, tani. Për një shkrimtar, është e mirë ta vëzhgosh të gjithën nga dorë e parë. Për veç kësaj, jam duke përpunuar shumë ide për televizion këto kohë dhe po e bëj vajtje e ardhje në Los Anxhelos.

Amerika duket vend shumë interesant për të jetuar këto kohë. A jeni i shqetësuar?

Ka padyshim një ndjenjë të rritur të  ankthit, ndjesia se mund të ketë një apokalips të pashmangshëm të ndonjë lloji. Në një mënyrë të shthurur, është gjë e mirë të jesh në mes të kësaj. Romani me të cilin po punoj flet  rreth të batareve bashkëkohore amerikane. Ndaj ka kuptim që jam këtu.

Keni shkruar rreth pavarësisë skoceze në një mënyrë interesante: nuk jeni edhe aq nacionalist si dikush që keni qenë në favor të ndarjes nga Mbretëria e Bashkuar. Parë nga jashtë, mendoni se kjo mund të jetë një nga pasojat e paqëllimta të Brexit?

Shpresoj (qesh). Me Brexit-in, gjithçka është në ajër. Kemi lejuar institucionet tona politike të helmohen nga lakmia dhe paratë dhe korrupsioni që ka dalë prej saj. Është e jashtëzakonshme sesi Corbyn është portretizuar si armiqësor në media për atë çka është thellësisht politikë e modës së vjetër, e stilit socialdemokrat. Befas ata po portretizohen si ekstremistë. Narrativa e re është globaliste dhe nativiste,  në përpjekje për të rrëmbyer kontrollin nga njëri- tjetri. Mendoj se rreth kësaj sillet politika këto kohë. Dhe udhëhiqet nga ana teknologjike, që e bën edhe më të keqe – dhe shumë më të përshpejtuar – sesa në të shkuarën. Ndonjëherë ndihet se po rrjedhim vjedhurazi në fashizëm.

Libri "Trainspotting" i autorit skocez Irvine Welch, botuar në shqip nga "SH.B.DITURIA"

Cila është zgjidhja që keni?

Demokracia sillet rreth qytetarëve të zakonshëm, jo oligarkëve, aristokratëve, elitave apo familjes mbretërore. Kemi humbur busullën. Mendoj se hierarkitë që kanë qenë aty për shekuj duhet të çmontohen. Kemi ngecur në demokracitë e ashtuquajtura dhe shtetin imperialist që thjesht nuk do të funksionojë më në atë që është në thelb një shoqëri konceptuale – nuk prodhojmë më gjëra, krijojmë informacion. Mendoj se kemi nevojë të ndërtojmë demokraci civike, qofshin rajonale apo globale. Ndjenja ime është se shtetet e vegjël funksionojnë më mirë. Hiqeni idenë e nacionalizmit, edhe të shteteve. Nuk ka rëndësi se çfarë e quani për aq kohë sa funksionon për shumicën e njerëzve atje.

https://www.youtube.com/watch?v=EsozpEE543w
Trailer i filmit "T2 Trainspotting" (2017)

Si mendoni se e prek kulturën dhe artin kjo?

Epo, dëgjoj njerëz të thonë, pse na duhet kultura? Tani, gjithçka ka të bëjë me komunikimin. Ndaj, pyetja ime është, çfarë do të ndodhë me të gjithë bukurinë dhe dijen që kemi gjetur tradicionalisht në arte, letërsi dhe muzikë? A nuk do të jetë më në përdorim në shoqëritë e komunikimit të avancuar të së ardhmes? Çfarë do të ndodhë me gjërat që na kanë shkundur, nxitur apo argëtuar? Tingëllon si fanta-shkencë, por njerëzit po kthehen në shtëpi tek  robotët e tyre të seksit. Ku është dashuria, romanca, dëshira? Të gjithë këta kombe po sfidohen tani. Është një kohë interesante për të qenë artist apo shkrimtar.

Jeni i njohur për stilin e jetesës disi hedoniste, kur ishit i ri. Jeni 59 vjeç tani; a jeni shtruar?

Këto kohë janë shpërthime të kontrolluara. Kam gudulisjen e çuditshme nëse diçka më tërheq. Mund të futem në telashe me raste, por jo si dikur. Jam shumë sportiv këto kohë. Shkoj në klube boksi shumicën e kohës; është stërvitja më e mirë. Ndihesh i gjallë në fund të saj. Po plakemi dhe po shkojmë drejt vdekjes, por sa jetë do të doje të shpenzoje duke menduar rreth kësaj? Më mirë të kem intensitetin e palestrës së boksit. Të mban veshngritur dhe të gjallë.

*Përktheu: Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë