Futboll

Flamurtari ndal Partizanin kryesues, Laçi “fluturon” në vend të tretë

Gjysmë hapi për Partizanin në Vlorë, ku nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1. Të kuqtë kishin mundësi të shkëputeshin në 4 pikë nga vendi i dytë, por nuk ia dolën të fitonim me Flamurtarin. Pas një pjesë të parë të barabartë, Egzon Belica e kaloi Partizanin në avantazh, por reagimi i vlonjatëve ishte i shpejtë dhe Nebihi, vetëm pas 4 minutash, barazoi me një veprim të bukur në zonë.

Rastet për shënim nga skuadra e Partizanit ishin të shumta pas golit të Flamurtarit dhe ishte portieri Moçka shpëtimtari i vlonjatëve me disa pritje vendimtare. Të kuqtë kanë 22 pikë në vend të parë, kurse Flamurtari ka marrë barazimin e 4-t dhe pikën e 4-t në këtë kampionat. Vendi i fundit për ekipin që drejtohet nga Luan Birçe dhe mbijetesa duket një mision i pamundur.

Laçi mundi 1-0 Kukësin, falë një goli të shënuar me penallti nga sulmuesi Nuabueze, i cili është lojtari i momentit në Superiore. Me golat e tij, skuadra e trajnerit Armando Cungu ka marrë 4 fitore radhazi, që e kanë ngjitur në vend të tretë, me 19 pikë. Humbja në Laç i komprometon jo pak pozitat e Kukësit, që ndodhet në vend të pestë dhe nuk po arrin të bindë në lojë dhe rezultate. Pas ndeshjes, trajneri Shpëtim Duro ka kontestuar penalltinë që vendosi rezultatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë