Lajme

Pse u dogjën çerdhet në Tiranë

Në të paktën një nga dy rastet e zjarrit në çerdhet e kryeqytetit, dyshohet se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.

Një ditë më parë, çerdhja nr 16, në rrugën “Nikolla Tupe” u përfshi nga flakët. Çerdhja ndodhet në të njëjtën godinë me zyrat e Njësisë Bashkiake Nr.5. Grupi hetimor dyshon se zjarri ka ardhur për shkak të një defekti që ka pasur frigoriferi i çerdhes. Por, gjithsesi nuk përjashton asnjë pistë që mund të çojë drejt motivit të zjarrëvënies së qëllimshme.

Kjo edhe për faktin se vetëm pak ditë më parë, më dt.16 gusht, një tjetër çerdhe ajo numër 14 në kryeqytet, në zonën e “Ali Demit”, u përfshi nga flakët. Pikërisht për këtë çerdhe të dytë, grupi hetimor ka konstatuar se në vendngjarje ka pasur dy vatra zjarri dhe jo një siç ishte njoftuar paraprakisht nga policia. Fillimisht për këtë çerdhe u raportua se një bombulë gazi kishte shpërthyer, dhe se fatmirësisht nuk kishte të lënduar. Policia raportoi se zjarri kishte rënë në një dhomë që shërbente si magazinë për çerdhen dhe bombula nuk ishte në përdorim e sipër. Pikërisht konstatimet se tubi i gazit të bombulës mund të jetë manipuluar, i ka çuar hetuesit drejt dyshimit se zjarrëvënia në këtë çerdhe mund të ketë qenë e qëllimshme.

Deri më tani për të dyja këto ngjarje ende nuk ka një përgjegjës, ndërkohë që ditën kur zjarri ra në çerdhen nr 14, kreu i zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj nuk e përjashtoi mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme, por policia nuk dha më detaje për pistat e hetimit. Nga burime jozyrtare, mësohet se për ngjarjen e 16 gushtit po hetohet për zjarrvënie të qëllimshme për një konflikt pronësie.

Për zjarret në dy çerdhet e kryeqytetit ka reaguar Partia Demokratike. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, në një deklaratë nga selia e PD-së, akuzon kryebashkiakun Erjon Veliaj si përgjegjësin kryesor dhe shprehet se ai duhet të japë llogari për shqetësimin e prindërve.

Gjithashtu Erjon Veliaj duhet të nisë me urgjencë kontrollin për sigurinë në çerdhe dhe kopshte dhe shkolla.

“Në Tiranë mbrëmë një tjetër çerdhe u përfshi nga flakët. Fati deshi që të mos kishte fëmijë dhe punonjës të lënduar. Për fat edhe shpërthimi i tmerrshëm i pak ditëve më parë që ndodhi në çerdhen 14 ishte kur nuk kishte fëmijë apo kujdestarë. Çerdhet, kopshtet, shkollat në Tiranë nuk duhet të jenë në duar të fatit, por duhet të kenë standarde që garantojnë sigurinë e fëmijëve.

3 vjet më parë, Erion Veliaj, doli 31 ditë rresht në ekrane, duke inauguruar të ashtuquajturin rikonstruksion falas të 31 çerdheve të Tiranës. Por, përveç propagandës me ngjyra, Erion Veliaj nuk përmendi asnjëherë masat e marra për sigurinë në kopshte dhe çerdhe, për të cilat bashkia që ai drejton është edhe përgjegjëse direkte. Qytetarët duan të dinë pse nuk reagon Erion Veliaj për dy rastet skandaloze të rënies së zjarrit në çerdhet e Tiranës, por vazhdon me propagandën bajate, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në vend që të japë llogari për shqetësimin e prindërve dhe në vend që të nisë me urgjencë kontrollin e sigurisë dhe të standardeve në çerdhe dhe kopshte, Erion Veliaj fshihet pas përhapjes së lajmeve për një zjarrvënie të qëllimshme”, shprehet Zhupa.

Ajo vijoi se Policia duhet të sqarojë menjëherë nëse shpërthimi i zjarrit dhe bombolës së gazit në dy çerdhe të Tiranës ishte i qëllimshëm ose prokuroria të marrë në përgjegjësi penale Veliajn dhe ata që hapin lajme të rreme.

“Nëse është kështu, atëherë policia duhet të sqarojë urgjentisht këtë situatë, e cila po të verifikohet si e vërtetë përbën një akt terrorist që duhet të kishte ngritur shtetin në këmbë. Por nëse rezulton se Veliaj po përpiqet të viktimizohet, ai dhe kushdo tjetër duhet të merret në përgjegjësi penale për pengimin e drejtësisë dhe përhapjen e lajmeve të rreme. Partia Demokratike kërkon që të nisë me urgjencë kontrolli për sigurinë dhe standardet në të gjitha çerdhet, shkollat, kopshtet publike dhe private”, përfundoi Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë