Përfaqësuesi i shqiptarëve të Luginës në Kuvendin serb, Shaip Kamberi ka mbajtur të mërkurën një fjalim në gjuhën shqipe përballë deputetëve të tjerë, duke mbrotjur të drejtat e shqiptarëve të Serbisë,
Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të kryeparlamentarit serb Ivica Daçiq, Kamberi vazhdoi të ngrejë zërin shqip ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, që ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Aleksander Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Kamberi tha se me këtë veprim Gjykata serbe ka legalizuar termin ofendues “šiptari”.
“Sot është e një ditë tronditëse. Është dita e parë pasi një gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’. Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Për gjykatën e lartë nuk vlen më as vendimi i Gjykatës së Apelit në fund të vitit 2018, e cila pati sanksionuar përdorimin e termit ‘šiptar’ si gjuhë urrejtjeje. Nuk vlen as mendimi i komisionares për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, që e ka cilësuar përdorimin e termit ‘šiptar’ si nënçmues, fyes dhe shkelje të Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit”, tha ai.
Kamberi ka theksuar po ashtu se nSerbia mbetet i vetmi shtet në rajon që ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën.
Sipas Kamberit, përdorimi i simboleve kombëtare për pakica është i rregulluar edhe me ligj.
“Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotorr; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës. Barazia nuk duhet ndërtuar duke ua ndaluar pakicave kombëtare përdorimin e simboleve të tyre kombëtare. Prandaj kam vendosur flamurin shqiptar në parlament, krahas flamurit serb. Barazia në të drejta është parakusht për paqen rajonale”, ka thënë Kamberi në Kuvendin serb
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.