Motosport

Fitore jubilare, Hamilton i pari në garën numër 1000 të Formula 1

Garën numër 1000 të historisë në Formula 1 e ka fituar Lewis Hamilton. Kampioni i botës me Mercedesin kishte thënë para garës se nuk i interesonte shumë ky fakt, por suksesi në Kinë nuk mund t’ia fshihte buzëqeshjen, aq më tepër për faktin që pas tri garash ka marrë kreun e klasifikimit. Tri gara dhe tri dopieta të Mercedesit, pasi Valtteri Bottas doli i dyti në Kinë.

Ferrari u ngjit në pod me Sebastian Vettel, i cili nuk mundi të bënte më shumë për t’i sulmuar rivalët. Leclerc e mbylli në vend të pestë këtë garë, pas Max Verstappen. Ka pasur edhe polemika mes pilotëve të Ferrarit për shkak të strategjisë, por këto polemika kalojnë në plan të dytë, sepse çështja më e rëndësishme është që në Kinë makinat Ferrari nuk ishin të shpejta si Mercedesi. Kambanat e alarmit kanë nisur të bien për skuderinë italiane. Nisjen më të mirë e bënë Hamilton dhe Leclerc, ndërsa Kvyat humbi Toro Rosson e tij pas një incidenti me McLaren e Sainz.

Renditja e pilotëve pas garës së Kinës

Në xhiron e 11-të, duke parë shkëputjen e Hamilton, Ferrari urdhëroi Leclerc që të kalohej nga Vettel, duke parë ritmin më të mirë të gjermanit dhe për të sulmuar Bottas, në mënyrë që të mos lejohej Mercedesi të administronte krejtësisht situatën. Leclerc nuk e priti mirë vendimin, por ishte i detyruar ta bënte. Në këtë fazë Hamilton kishte fituar një avantazh prej 10 sekondash nga makinat Ferrari. Në xhirot e tjera, Vettel nuk ia doli dhe Leclerc u ankua me anë të radios: “Po tani?”. Përgjigja që mori ishte: “Të bëjmë punën tonë, rri i përqendruar!” Max Verstappen, që ishte pas Ferrarit, bëri “pit stop”-in e parë, duke vendosur gomat e forta, më pas në bokse shkoi Vettel. Në xhiron e 22-të ishte radha e Mercedes për të shkuar në bokse, me Bottas fillimisht dhe më pas me Hamilton. Edhe Leclerc u fut në bokse në të njëjtin moment. Vettel u favorizua nga kjo situatë dhe shkoi deri në 6 sekonda nga Bottas dhe 7 nga Hamilton. Me gomat e forta nisi një garë e dytë, me Leclerc më të penalizuar, pasi humbi një vend, duke dalë pas Verstappen.

Makinat Ferrari u lajmëruan ga bokset të shtynin sa më fort. Vettel kaloi Verstappen në xhiron e 36-të dhe kjo strategji alarmoi Mercedesin, që lajmëroi makinat e veta të hynin sërish në bokse. Hamilton dhe Bottas u kthyen në pistë me Leclerc mes tyre. Vettel kaloi shokun e skuadrës. Në krye të garës nuk ndryshoi asgjë dhe Hamilton e mbylli garën para Bottas, Vettel, Verstappen, Leclerc, Gasly, Riçiardo, Perez, Raikkonen dhe Albon, me këtë të fundit në gjendje për të marrë pikë pas incidentit të tmerrshëm të një dite më parë. Gara e ardhshme është pas dy javësh në Azerbajxhan.

Renditja aktuale e pilotëve
Renditja aktuale e konstruktorëve

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë