Motosport

Fitore e dyfishtë e Ferrarit në Australi, kampionin Vershtapen e tradhtojnë frenat

Gazeta si - Karlos Sainz dhe Ferrari rrëmbejnë skenën në Çmimin e Madh të Australisë, gara e tretë e Botërorit të F.1. Ditën e kthimit në normalitet për Vershtapen, i detyruar të tërhiqej për shkak të problemeve me frenat, spanjolli e kaloi në xhiron e 4-t dhe pastaj u shkëput drejt një suksesi, që nuk u vu asnjë moment në diskutim.

Në shkallën e dytë të podit u ngjit Sharl Leklerk, duke sigluar kështu dopietën e Ferrarit, që mungonte prej garës së Bahrejnit në vitin 2022. Në vend të 3-të Lando Norris, i ndjekur nga shoku i skuadrës, Oskar Piastri. Në fund frikë për Xhorxh Rasëll, që u përplas në kthesën 8, ndërsa ‘virtual safety car’ ngriu pozicionet në xhiron e fundit.

E papritura këtë herë ndodhi me Red Bull-in në xhirot e para. Defektet në skuderinë austriake janë shumë të rralla. Ndodhi në Australi dhe Ferrari përfitoi menjëherë me Karlos Sainz, i cili parakaloi Vershtapenin e tradhtuar nga frenat e RB20. Holandezi u detyrua të tërhiqej, diçka që nuk ndodhte prej dy vitesh.

Me dhimbjet që la pas operacioni i apendicitit dy javë më parë, duke i mohuar garën e Jedah, Sainz ka rigjetur buzëqeshjen me shkallën më të lartë të podit. Spanjolli nuk fitonte që nga shtatori 2023 në Singapor, hera e fundit kur Red Bull-i nuk kishte pasur sukses.

Një buzëqeshje e dyfishtë për Ferrarin, sepse në krah të Sainz ishte Leklerk, me francezin që vuajti për t’u mbrojtur nga dy makinat MekLaren të Norris dhe Piastrit.

Në ‘top 5’ Serxho Perez, që nga Melburni dërgon një kartolinë zhgënjyese për Red Bull-in, skuderinë kampione bote që duket anonime pa Maks Vershtapen në pistë. Në zonën e pikëve edhe Fernando Alonso, që me Aston Martin kaloi finishin para Stroll, Tsunoda dhe Hulkenberg e Magnusen.

Momenti i perplasjes se Rasell

Zhgënjim edhe për Ljuis Hemilton, i tradhtuar në gjysmën e garës nga Mercedesi, ashtu si dhe Rasëll në fund. Anglezi humbi drejtimin e makinës dhe u përplase me muret mbrojtëse, duke bërë që xhiroja e fundit të bëhej me ‘virtual safety car’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë