Lajme

Fitër Bajrami, KMSH hap xhamitë, por lëvizja mbetet e kufizuar

Komuniteti Mysliman Shqiptar njofton se do të hapë xhamitë për Fitër Bajramin ditën e diel, pavarësisht deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për lëvizje të kufizuara. KMSh njofton se duke vlerësuar ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 namazi i Fitër Bajramit do të falet nëpër xhamia sipas masave të protokollit të publikuar më parë, duke respektuar distancimin fizik.

Ceremonia qendrore e Fitër Bajramit do të zhvillohet në Xhaminë e Pazarit të Ri, ndërsa janë shmangur pritjet tradicionale të urimit të politikës në selinë e institucionit. Megjithatë, nga njoftimi i KMSh nuk qartësohet nëse ky institucion ka siguruar nga ana e policisë lëvizjen e besimtarëve me rastin e festës, duke patur parasyh se sipas deklaratës së bërë ditën e premte nga Kryeministri Edi Rama lëvizja për nesër do të jetë e kufizuar.

Hapjen e xhamive për këtë festë e njoftoi fillimisht Myftinia e Shkodrës, që tha se ditën e diel ceremonia e Fitër Bajramit do të zhvillohet nëpër xhamia duke nisur në orën 05:30 minuta dhe falja nis në orën 06:00.

Po në të njëjtin njoftim thuhet se ceremonia e pritjes tradicionale të vizitorëve do të zhvillohet në Xhaminë e Parrucës në Shkodër nga ora 09:00 deri në orën 10:30.

Më herët, Kryeministri Edi Rama njoftoi se masat kufizuese të vendosura në fundjavën e kaluar do të qëndrojnë në fuqi edhe përgjatë kësaj fundjave. Fundjava e kaluar ishte për të moshuarit të cilët mund të dilnin deri në orën 10:00 dhe nënat me fëmijë nga ora 11:00 deri në orën 17:30.

Të shtunën do të qëndrojnë hapur ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17:30, ndërkohë që të dielën gjithçka do të jetë e mbyllur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë