Biznes

Firmoset marrëveshja për portin e Durrësit, Balluku: Projekti ekonomik më i madh në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka nënshkruar sot marrëveshjen për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, ku shteti shqiptar është bashkëaksioner me 33%.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e konsideroi projektin ekonomik më të madh në Shqipëri.

“Ky është projekti më i madh ekonomik që Republika e Shqipërisë ka patur ndonjëherë, por edhe me një element me rëndësi. Për herë të parë shteti shqiptar është bashkëaksioner në një projekt i cili do të ketë një vlerë investimi rreth 2 mld euro. Ky projekt do të ndryshojë të gjithë pamjen e turizmit për të gjithë rajonin.

Duhet thënë se ky projekt i pari i këtij lloji, parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët ku shteti që është aksioner në masën 33% ka të gjitha benefitet e një aksioneri në të ardhura e fitim.

Shteti ka përgjegjësi të ruajë asetet strategjike, kalatat, baseni dhe kanali i Portit, këto mbeten pronë shtet, siç mbetet edhe 45% e hapësirës së portit aktual. Ky zhvillim ridimensionon edhe fuqinë e autoritetit portal të Durrësit. Durrësi tashmë do të bëhet me dy porte, porti turistik i Marinës, dhe porti tregtar i Porto Romanos", tha Balluku.

Ajo shtoi se më 1 shkurt do të bëhet prezantimi i detajuar inxhinierik.

"Kemi patur mbi 40 aplikime nga kompani ndërkombëtare. Do të jetë port i lidhur me dy porte të thata në Prishtinë e Strugë.

Do ketë ndikim në zhvillimin ekonomik të rajonit. Do të shtrihet në 450ha, është studiuar për të qenë i aksesueshëm për dekadat e ardhshme, për të akomoduar anije të tonazhit të rëndë, pasi thellësia do të jetë mbi 16 m. Këto projekte do e kthejnë Durrësin në pikë reference të Mesdheut. Tani nis një fazë e vështirë, ajo e implementimit. Me të gjithë këta komponentë do ia dalim t’i marrim më të mirën këtij projekti", u shpreh Balluku.

Investitori Mohamed El Alabbar, i cili do të ndërtojë Portin e Durrësit, tha sot pas firmosjes së marrëveshjes së zhvillimit se ky është një projekt i jashtëzakonshëm, me teknologji shumë avangardë. Ai shtoi se vigjilenca e Qeverisë shqiptare për gjithçka lidhej me projektin ka qenë shumë më lart se të gjitha vendet e tjera.

Kryeministri Edi Rama, tha se projekti do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik.

"'Durrës Yacht & Marina' hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik por dhe si një konkurrent në një treg më të gjerë se ai shqiptar, që do të ofrojë jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme por punësim cilësor dhe shumë profile pune të mirë paguara për shumëkënd që nuk do të ketë më asnjë arsye nëse do realisht të punojë, që ta shohë të ardhmen jashtë vendit.

Durrës Marina do të sjellë mbrapa në vendin e tyre njerëz jo vetëm nga Durrësi por dhe nga vende të tjera për të punuar në Shqipëri", tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë