Bota

Finlandë, 12-vjeçari vret me armë në shkollë një bashkëmoshatar dhe plagos dy të tjerë

Gazeta Si - Një 12-vjeçar vdiq dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, pas të shtënave në shkollën Viertolan, në qytetin Vantaa, 20 kilometra në veri të kryeqytetit finlandez, Helsinki.

Alarmi ra mëngjesin e së martës, rreth orës 8 të mëngjesit me orën shqiptare, kur policia finlandeze u njoftua pas disa të shtënash brenda institutit.

Policia – e cila tha se mbërriti brenda 9 minutash – rrethoi zonën e shkollës ku ishin të pranishëm 800 nxënës, të moshës 7 deri në 15 vjeç, të sapo kthyer nga festat e Pashkëve, si dhe 90 mësues dhe personel të shkollës, duke u kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë larg dhe të mos dilnin nga shtëpitë e tyre.

Oficerët ndaluan një të dyshuar 12-vjeçar, i cili, sipas asaj që shpjegoi policia, u dorëzua në mënyrë "paqësore": arrestimi u bë në një zonë të Helsinkit të quajtur “Siltakylantie”, 50 minuta në këmbë nga shkolla.

Për momentin policia nuk ka raportuar sesi i mituri ka marrë armën në dorë dhe nuk ka specifikuar se çfarë lloj arme ka përdorur.

Një dëshmitar i tha gazetës “Iltalehti” se të shtënat u dëgjuan edhe në oborrin e shkollës: “Në fillim nuk e kuptova që ishte armë. Pastaj u dëgjua një zhurmë e tmerrshme dhe fëmijët vrapuan nëpër oborr”.

Transmetuesi finlandez MTV Uutiset, raportoi se disa fëmijë u fshehën gjatë sulmit, ndërsa të tjerët, të kontaktuar nga prindërit e tyre me telefona celularë, thanë se panë se çfarë ndodhi. “Rreziku i menjëhershëm ka kaluar”, tha drejtoresha e shkollës, Sari Laasila.

Kryeministri Petri Orpo tha se ishte "thellësisht i tronditur". Ministrja e Brendshme, Mari Rantanen, në një postim në X tha se “mund të imagjinoj vetëm dhimbjen dhe shqetësimin që po përjetojnë shumë familje në këtë moment. Mendimet e mia janë me viktimat, të dashurit e tyre, studentët e tjerë dhe stafin”.

“Si shoqëri duhet të kishim mësuar diçka nga të shtënat e mëparshme në shkolla. Ajo që ndodhi sot nuk duhej të ndodhte”, tha shefi i policisë Seppo Kolehmainen, cituar nga transmetuesi “Yle”.

Finlanda nuk ka qenë imune për episode të këtij lloji. Në vitin 2019, një student i armatosur me shpatë vrau një person dhe plagosi dhjetë të tjerë përpara se të ndalohej nga policia në qytetin Kuopio.

Por bilancet e sulmeve në shkollat ​​e Tuusulas në vitin 2007 dhe Kauhajoki në viti 2009 ishin shumë më tragjike: në rastin e parë pati nëntë të vdekur, të vrarë nga një i ri i cili vdiq në spital, pasi u vetëvra ndërsa në rastin e dytë u vranë dhjetë persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë