Bota

‘Financim i paligjshëm zgjedhor’ Sarkozy dënohet nga Apeli me një vit burg

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u dënua në apel me një vit burg për çështjen "Bygmalion", në lidhje me financimin e paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2012.

Sarkozy ishte i pranishëm në leximin e dënimit prej 244 faqesh të Gjykatës së Apelit të Parisit, e cila e dënoi me një vit, nga të cilat gjashtë muaj me kusht. Gjashtë muajt e mbetur do të kryhen me dënime alternative me burg, që gjyqtari do ta vendosë brenda 30 ditëve. Gjykata konstatoi se ish-kreu i shtetit i dinte rreziqet e shpenzimeve të tepërta në fushatën e tij zgjedhore të 2012, por nuk bëri asgjë për t'i kufizuar ato.

I njohur si "çështja Bygmalion", historia ka të bëjë me një sistem faturimi të dyfishtë të zbatuar nga partia e atëhershme presidenciale, UMP, për të fshehur tejkalimin e shpenzimeve të autorizuara me ligj.

Shpenzimet e fushatës presidenciale të Nicolas Sarkozy në vitin 2012 arritën në pothuajse 43 milionë euro, kur komisioni i llogarive zgjedhore kishte vendosur pragun e lejuar për të në 22.5 milionë.

Më pas UMP-ja i kërkoi kompanisë së komunikimit Bygmalion të hartonte fatura false, në mënyrë që shërbimet të dukej se i jepeshin partisë dhe jo kandidatit.

Gjatë gjyqit, Nicolas Sarkozy mohoi "të gjithë përgjegjësinë penale", duke nënvizuar se janë "përralla dhe gënjeshtra".

Gjykata penale në shkallë të parë kishte evidentuar se ish-presidenti kishte “vazhduar të organizonte takime elektorale”, “duke kërkuar një takim në ditë”, pavarësisht se ishte “paralajmëruar me shkrim” për rrezikun e tejkalimit të kufirit ligjor.

“Ai vendosi mbledhjet, ku do të mbaheshin dhe sa do të ishin. Dukej e vështirë t'i thuash jo atij (...) Prandaj Sarkozy është përgjegjës për shpenzimet e fushatës”, ka ripërsëritur prokuroria në apel.

Jérôme Lavrilleux, ish-zëvendës menaxheri i fushatës së Nicolas Sarkozy, i cili fillimisht pranoi se shërbimet e ofruara nga Bygmalion i ishin faturuar në mënyrë të gabuar UMP-së, u dënua me dy vjet burg, 18 muaj nga të cilat u pezulluan.

Ish-menaxheri i fushatës së kandidatit të UMP-së, Guillaume Lambert, është dënuar me dy vjet burg, nga të cilat 18 muaj me kusht. Ish-drejtorët e Bygmalion, Franck Attal dhe Guy Alves, u dënuan me një vit burg me kusht dhe 18 muaj burg me kusht.

Përveç çështjes Bygmalion, Sarkozy është i përfshirë edhe në çështje të tjera gjyqësore: majin e kaluar ai u dënua me tre vjet në apel për përgjime telefonike, vendim që ai ka apeluar në Gjykatën e Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë