Motosport

‘Financial Times’ zbulon prapaskenat, Ford mund të prishë akordin me Red Bull-in

Gazeta Si – Ajo që po ndodh me drejtuesin kryesor të skuderisë kampione bote, i akuzuar për sjellje të pahijshme ndaj një punonjëseje, e shqetëson jo pak markën e njohur amerikane, që ka një akord me Red Bull-in.

Hije të tjera zgjaten mbi Red Bull-in. Përveç F.1, edhe Ford, partneri komercial që nga 2026-a, kërkon të qartësohet hetimi i brendshëm ndaj Kristian Horner për sulm të dyshuar seksual ndaj një punonjëseje. Kompania e famshme amerikane ka shfaqur shqetësim për ngjarjen dhe pret nga skuderia austriake "standard integriteti dhe korrektësi sjelljeje”.

Sipas ‘Financial Times’, Ford edhe mund ta anulojë akordin me Red Bull-in. E përditshmja britanike bën me dije se ndarja mes palëve nuk përjashtohet si opsion që para nisjes së bashkëpunimit.

"Sipas personave që kanë dijeni për këtë lloj partnershipi, Ford ka të drejtën që të largohet nga Red Bull-i, nëse dëshiron”, - shkruan ‘Financial Times’. Pra, bëhet fjalë për një klauzolë të firmosur një vit më parë, kur u ratifikua bashkëpunimi mes palëve. Përballë një skenari të tillë, kërkesa për integritet dhe korrektësi maksimale në hetim, e formuluar nga shefi i repartit ‘Motorsport Ford’, Mark Rashbruk, merr një ton më të fortë.

Në pritje të një prononcimi mbi çështjen ‘Horner’, në lojë është edhe një akord që ka vetëm një vit që është firmosur. Partnershipi mes Red Bull-it dhe Ford u zyrtarizua më 3 shkurt 2023 në Nju Jork. Marka amerikane ka marrë përsipër të fuirnizojë ‘power unit’ për skuderinë austriake, duke nisur nga viti 2026.

Palët firmosën një kontratë 5-vjevcare që do të zgjaste të paktën deri në 2030-ën. Në atë kohë shtrënguan duart administratori Jim Farley dhe Horner. Dy kompanistë kanë nisur të punojnë për bateritë dhe projekte të tjera të parashikuara nga një bashkëpunim i konsoliduar. Por tani çështja ‘Horner’ ka prishur qertësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë