Futboll

FIFA The Best/ Zbulohen të gjithë finalistët, Mesi sfidon Mbape dhe Benzema

Gazeta Si – Garë treshe mes Guardiolës, Skalonit dhe Ançelotit për trajnerin më të mirë. Lionel Mesi sfidon dy francezët Kilian Mbape dhe Karim Benzema për çmimin e lojtarit më të mirë.

‘The Best FIFA Football Awards’ zgjedh çdo vit protagonistët më të mirë të sportit më të dashur në botë. Është jo vetëm një nderim në futboll për trajnerët dhe futbollistët, por edhe një event, ku tifozët dhe të apasionuarit luajnë një rol thelbësor.

‘The Best FIFA Football Awards’, që ka nisur që në 2016-ën, ka shenjuar një erë të re në kurorëzimin e figurave të spikatura të futbollit botëror. Këtë herë fituesit e çdo kategorie do të mësohen në ceremoninë, që do të zhvillohet më 27 shkurt, në Paris.

Në faqen zyrtare të FIFA janë zbuluar tashmë edhe emrat e finalistëve. Karlo Ançeloti, Pep Guardiola dhe Lionel Skaloni janë 3 finalistët për çmimin ‘The Best FIFA Men's Coach 2022’. Ata janë zgjedhur nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga trajnerë dhe kapitenë të kombëtareve të meshkujve, gazetarë dhe tifozë që kanë votuar në faqen zyrtare të FIFA-s.

Jasine Bono, portieri i Marokut, Tibo Kurtua, fitues i Ligës së Kampionëve me Realin dhe Emiliano Martinez, kampion bote me Argjentinën, janë 3 finalistët për çmimin ‘The Best FIFA Men's Goalkeeper Award 2022’.
Tre finalistët e nominuar për të qenë pasues të Robert Levandovskit, fitues i edicionit të fundit, janë Karim Benzema, Kilian Mbape dhe Lionel Mesi.

Goli i Marsin Oleksi në ndeshjen Varta Poznan-Stal Rzeszov, ai i Dimitri Pajet në ndeshjen Olipmik Marsejë-PAOK dhe i Riçarlison në ndeshjen Brazil-Serbi, janë kandidatë për çmimin ‘Puskas’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë