Futboll

FIFA shpërndan 187 mln euro të Katar 2022 për klubet, Premier Liga fiton më shumë

Gazeta Si – Janë 440 klube të planetit, që kanë përfituar në total 187 milionë euro nga FIFA, pasi kishin lojtarë pjesëmarrës me kombëtaret e tyre në Botërorin e Katarit. ‘Rimbursimi’ më i madh për argjentinasit dhe francezët, që ishin në aktivitet deri në momentin e fundit. Përfitojnë më shumë klubet e Premier Ligës.

Pas Kupës së Botës Katar 2022, 440 klube të 51 federatave të FIFA-s kanë marrë shpërblimet përkatëse prej saj. Në total 187 milionë euro për lojtarët që i ‘dhanë’ Botërorit. E njëjta shifër ishte shpërndarë edhe pas Rusi 2018, ndërkohë që parashikohet rritje për Botërorët e 2026-ës dhe 2030-ës.

Nga klubet e Italisë, 27 në total, më shumë ka përfituar Juventusi, 2.7 milionë euro. Pas tij vijnë Interi me 2 milionë dhe Milani me 1.4 milionë.

Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s. Gazeta Si, 13 korrik 2023

Nga raporti i FIFA-s dalin numra interesantë, sidomos për 5 kampionatet më të fortë të Europës, ku luajnë edhe lojtarët më të mirë në botë. UEFA ka përfituar 142.5 milionë euro (për 275 klube), pastaj vjen federata aziatike me 21.3 milionë (67 klubve), Concacaf 13.8 milionë (53 klube), Conmebol 5.2 milionë (26 klube), federata afrikane 4.1 milionë (18 klube) dhe Ofc e Oqeanisë 86.000 euro (1 klub).

Federata angleze ka fituar më shumë, 33.8 milionë euro, më pas vijnë federata spanjolle me 21.7, federata gjermane me 18.8, fedarata italiane me 16.7 dhe ajo franceze me 14.8.

Pesë skuadrat që kanë fituar më shumë nga shpërblimet e FIFA-s janë të gjitha europiane. Bëhet fjalë për Mançester Sitin (4.1 milionë), Barcelonën (4), Bajern Mynih (3.9), Real Madrid (3.4) dhe PSG (3.4). Interesant është fakti se Ajaksi (3.1 milionë) ka fituar më shumë se Juventusi (2.7), Atletiko Madrid (2.9), Çelsi (2.9), dhe Mançester Junajtid (3).

E lehtë të kuptohet që lojtarët që kanë përfituar më shumë janë argjentinasit dhe francezët, që luajtën në finale. Rabiot i ka sjellë Juventusit 353.752 euro, po kaq edhe Teo Hernandez Milanit, Lautaro Interit, Benzema Realit, Koman Bajernit, Mbape PSG-së, Loris Totenhemit etj.

Ka lojtarë që e kanë ndarë këtë shifër në dy skuadra: Di Maria mes PSG-së (235.835) dhe Juventusit (117.917), Mesi mes PSG-së (235.835) dhe Barcelonës (117.917), Zhiru mes Milanit (235.835) dhe Çelsit (117.917). Ka edhe nga ata që kanë lumturuar 3 klube, si Enco Fernandez (117.917 Benfikës, 147.396 River Plejtit dhe 88.437 Defensa y Justicia).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë