Futboll

FIFA në ndihmë të klubeve, “plan Marshall” për të shpëtuar futbollin

Teksa emergjenca e Koronavirusit ka përfshirë gjithë botën, FIFA po nxiton në marrjen e masave për të shpëtuar futbollin. Sipas një zëdhënësi të qeverisë së futbollit botëror, është gati të vihet në jetë një “plan Marshall” për të ndihmuar klubet që të përballojnë ekonomikisht pezullimin e të gjitha aktiviteteve.

"Konfirmojmë se FIFA po punon për t’i dhënë asistencë komunitetit të futbollit në të gjithë botën, - theksohet në një njoftim zyrtar të institucionit që drejton futbollin, - pasi kemi bërë një vlerësim global të impaktit financiar që kjo pandemi do të ketë mbi futbollin".

Për momentin, nuk jepen ende detaje konkrete të planit, por ato do të zbulohen shumë shpejt. Pasi ka bërë analizën e situatës, FIFA duket se ka vendosur të dëgjojë apelet që vijnë nga çdo sektor i botës së futbollit, si nga klubet, ashtu edhe nga futbollistët. Ditët e fundit, në një artikull të “New York Times” është folur për një fond special emergjence, që kap shifrën e qindra milionë dollarëve.

Dhe pikërisht kjo mund të jetë zgjedhja e drejtuesve të futbollit për t’u dhënë një ndihmë konkrete klubeve që të përballojnë problemet financiare të krijuara pas mungesës të të ardhurave nga e drejta televizive, mungesa e arkëtimeve nga biletat e ndeshjeve dhe sponsorët. Edhe FIFA po lëviz kundër emergjencës së Koronavirusit dhe ndoshta nga plani i saj mund të përfitojë edhe Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë