Futboll

Fifa dhe Fifpro krijojnë fondin për lojtarët që nuk paguhen nga klubet

FIFA dhe FIFpro – Sindikata Ndërkombëtare e Futbollistëve Profesionist– kanë krijuar një fond global për të mbrojtur pagat e lojtarëve. Fondi i FIFA-s për futbollistë (FIFA FFP), do të ofrojë mbështetje financiare për lojtarët të cilët nuk janë paguar dhe nuk do të paguhen nga klubet e tyre.

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA ka caktuar 16 milion dollarë (12.3 milion) për fondin deri në vitin 2022, të ndarë në këste vjetore. Në një deklaratë, FIFA dhe FIFpro, janë shprehur: “Ndonëse këto grante nuk do të mbulojnë shumën e plotë të pagave që u detyrohen lojtarëve, ky fund do ta ofrojë një lloj sigurie financiare’’.

Presidenti i Fifa, Gianni Infantino shtoi: "Kjo marrëveshje dhe angazhimi ynë për të ndihmuar lojtarët në një situatë të vështirë tregojnë se si ne interpretojmë rolin tonë si organ qeverisës i futbollit botëror. Ne jemi këtu edhe për t’iu qëndruar afër atyre që kanë nevojë, veçanërisht brenda komunitetit të futbollit, dhe kjo nis me lojtarët, të cilët janë figurat kryesore në sportit tonë”.

Në vitin 2019, FIFA e përditësoi kodin disiplinor për t’i përmirësuar kornizat ligjore lidhur me mos pagesat ndaj lojtarëve. Sipas ndryshimeve në kodin ligjor, nëse klubi s’e paguan sipas kontratës për dy muaj një lojtar, atëherë ai ka të drejtë ta shkëpusë kontratën. Fondi i ri pritet të fillojë më 1 korrik.

"Më shumë se 50 klube në 20 vende janë mbyllur në pesë vitet e fundit, duke krijuar te qindra futbollistë pasiguri dhe vështirësi," deklaroi  presidenti i Fifpro, Philippe Piat. "Ky fond do të sigurojë mbështetje të për ata lojtarë dhe familje që kanë më shumë nevojë. Shumë nga këto klube janë zhdukur për të shmangur detyrimet financiare, menjëherë duke u ri-formuar si të ashtuquajtura klube të reja. Fifpro ka bërë fushatë të gjatë kundër kësaj praktike të paskrupullt dhe falënderon Fifa-n që po e lufton me anë të kodit të saj disiplinor."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë