Futboll

FIFA bllokon merkaton e ekipit të Ronaldos, shkak bëhet një borxh 390.000 stërlina

Gazeta Si – Shpenzimet e mëdha në merkato të Al Nasr, ekipit arab ku luan Kristiano Ronaldo, janë frenuar nga FIFA. Klubi në fjalë është sanksionuar të mos federojë lojtarë të tjerë të rinj nga vendi dhe të huaj për tre sesionet e radhës në merkato.

Ky ndëshkim vjen për faktin se Al Nasr nuk i ka paguar bonuset Leiçesterit për sulmuesin nigerian, Ahmed Musa. Një goditje kjo për ekipin e CR7 dhe Brozoviç, të paktën deri në momentin që do të shlyhet borxhi ndaj klubit anglez.

Musa, lojtari qe i bllokoi merkaton Al Nasr. Gazeta Si, 12 korrik 2023

Çështja nuk është e re. Shitja e Musa nga Leiçesteri tek Al Nasr është bërë vite më parë. Sezonin 2018/19 ai e udhëhoqi Al Nasr drejt triumfit në kampionat me 14 gola në 62 ndeshje dhe për këtë shifër sauditët duhej të derdhnin në arkat e klubit anglez 390.000 stërlina, sipas bonueseve që ishin rënë dakord.

Pavarësisht akordit të firmosur nga të dyja palët, kjo shifër nuk është paguar ende dhe FIFA ka vendosur të marrë masa. Sentenca e 2021-shit më pas kaloi në KAS, që vendosi për pagesën e shumës. Leiçesteri, pas një sezoni të tmerrshëm, që e rrëzoi në Championship, pret pagesën nga Al Nasr.

Bllokimi mund të mos jetë përfundimtar, sepse me kryerjen e pagesës gjithçka mund të arkivohet. Al Nasr shumë shpejt mund ta shlyejë këtë borxh dhe të zhbllokojë merkaton. Ky është një precedent i rëndësishëm për klubet arabe, që po shpenzojnë shumë këto kohë. Sytë e FIFA-s janë aty dhe nuk mund të ketë më gabime të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë