Motosport

FIA ndryshon rregullin e pit stop-it, Turqia zëvendëson Singaporin

Nga Çmimi i Madh i Hungarisë, në program më 1 gusht, pit stop-et në garat e Formulës 1 do të ngadalësohen. Vendimi është komunikuar në një direktivë teknike që u është dërguar 10 skuadrave pjesëmarrëse në kampionat nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Pas një analize të kohës për ndërrimin e gomave, FIA ka konstatuar se disa procedura kërkojnë më shumë kohë se sa parashikojnë rregullat në fuqi.

Për këtë, ndërrimi i katër gomave në pit-lane nuk do të jetë më i mundur në më pak se dy sekonda. Sipas FIA-s, në radhë të parë duhet vënë ana njerëzore: qëllimi i direktivës së fundit është që të garantojë që dadot e rrotave të jenë krejtësisht në rregull gjatë ndalesave, duke i detyruar mekanikët që të mos i anashkalojnë disa faza. Tani duhet 1/10-a e gjysmë më shumë nga momenti që është vënë një dado me pistoletë e deri në momentin që hiqet kriku nga vetura, plus 2/10-at kur kriku ulet pas sinjalit të marrë nga piloti për t’u nisur nga bokset.

Një moment pit stop-i te Red Bull. Gazeta Si, 25 qershor 2021

Janë dy-tre të dhjeta sekondi më shumë që vijnë pas një analize të kujdesshme të FIA-s. Nëse një pilot niset 2/10-at para semaforit jeshil, një sensor do të sinjalizojë këtë shkelje dhe do të ketë penalizim për nisje të parregullt. Është vendosur që të jenë 3 gara, 2 të Austrisë dhe ajo në Silverston, që skuadrat të ambientohen me rregullin e ri.

Ka edhe një ndryshim zyrtar në kalendarin e Formulës 1, që ishte i pritshëm. Çmimi i Madh i Singaporit, që është anuluar, është vendosur të zëvendësohet me një garë në Turqi, më 3 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë