Motosport

Fetel zbulon situatën e pazakontë: Ndjeva aromë marijuane në pistë

Piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Fetel ishte protagonist i një episodi interesant në Amerikë, ku zhvillohet sot gara e radhës. “Marijuana është legale këtu në Teksas” - iu drejtua Fetel një gazetari vendës, duke e lënë jo pak të surprizuar.

Në fakt, piloti gjerman, ashtu si gjithë të tjerët, është mësuar me aroma të ndryshme në makinë dhe në garazh, por në disa nga kthesat e pistës ku do të zhvillohet “Çmimi i Madh i Amerikës” ka ndjerë një aromë ndryshe. E ka ndjerë këtë aromë edhe në korsinë e bokseve. “Po, e ndjeva aromën e marijuanës nga makina. Është një çmenduri!”, - ka thënë më tej Fetel me një buzëqeshje, duke saktësuar se aromën e marijuanës e kishte ndjerë në mënyrë të veçantë në kthesat numër 1 dhe 11.

Përdorimi i marijuanës në Teksas nuk është i legalizuar, por, me sa duket, kjo nuk e ka ndaluar ndonjë tifoz amerikan të tymosë ndonjë cigare në tribunë. Fetel më pas nuk i ka kushtuar shumë rëndësi këtij fakti dhe situatën e pazakontë e mbyllur një shprehje ironike. “Është gjithmonë bukur të garosh këtu”, - tha piloti gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë