Motosport

Fetel prish “agjërimin”, Ferrari bën dopietë në Singapor

Ferrari ka shkëlqyer edhe në Singapor. Skuderia italiane kthehet të fitojë në Azi me një dopietë që mungonte që prej Çmimit të Madh të Hungarisë në vitin 2017. Është kthyer te fitorja Sebastian Fetel, i cili e kishte paralajmëruar surprizën që në “pole position” e djeshëm. Leklerk mbërriti i dyti në një garë që u vendos në “pit stop”, një moment kyç i garës në cirkuitin e Singaporit.

Leklerk hyri në bokse dhe kur u kthye në pistë, e pa veten pas Fetelit, kështu që gara e tij u vendos në këtë moment. Ljuis Hamilton e mbylli garën në vend të 4-t, pas Maks Vershtapen, por për të janë pikë të tjera të vlefshme që e afrojnë me titullin. Për Ferrarin është fitorja e tretë radhazi dhe tani mund të ëndërrojë një finale të sezonit me të tjera shanse. Asnjë problem për Leklerk në start. Një nisje perfekte dhe kryesim i garës, para Hamilton dhe Fetel, i cili u përpoq ta sulmonte anglezin, por nuk gjeti trajektoren e duhur.

Renditja e Çmimit të Madh të Singaporit. Gazeta Si, 22 shtator 2019

Francezi i Ferrarit, Leklerk, e kontrolloi pjesën e parë të garës pa probleme, me Hamilton dhe Fetel në distancë të afërt, por pa u rrezikuar për t’u parakaluar. Gjithçka ka vazhduar kështu deri në momentin e “pit stop”-it, që u inaugurua nga Raikonen në xhiron e 16-të. Hamilton u ankua gjatë garës për gomat. Në xhiron e 20-të dhe 21-të u ndalën në bokse Fetel dhe Vershtapen. Në të 21-ën hyri në bokse edhe Leklerk, por francezi çuditërisht u kthye në pistë pas shokut të skuadrës. Strategjia nuk e ndihmoi, por nuk mund të thuhet se Ferrari favorizoi Fetelin. Me shumë mundësi, edhe një problem me golat e ka tradhtuar Leklerkun, i cili mbeti jashtë një xhiro më shumë dhe kjo rezultoi fatale për të.

20 xhirot e fundit mbajtën në ankth tifozët e Ferrarit. A do të arrinte Fetel ta mbante prapa Leklerk? Në fund, Fetel ia doli të triumfonte, pasi Leklerk nuk e rrezikoi asnjëherë seriozisht. Në fund feston Ferrari me një dopietë në Singapor, me fitoren e tretë radhazi, duke rigjetur edhe buzëqeshjen e Sebastian Fetel, “mbretit” të kësaj piste, ku ka regjistruar suksesin e pestë personal. Pas shumë zhgënjimesh, skuderia italiane po kalon një moment vërtet pozitiv.

Renditja e pilotëve, pas garës së fundit. Gazeta Si, 22 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë