Muzike

Festivali Marie Kraja – Stacioni shqiptar i muzikës operistike 

Ishte janari i vitit 1999, kur ministri i Kulturës asokohe, Edi Rama do t’i dorëzonte çmimin “Marie Kraja”, sopranos Marjana Leka. Prej asokohe, sopranoja numëron tridhjetë role operistike dhe është vlerësuar gjithaq me çmime ndërkombëtare, ndërsa festivali ka mbërritur në përvjetorin e tij të njëzetë, duke u kthyer kështu në një traditë të muzikës operistike.

Me statusin e një festivali ndërkombëtar, kjo ngjarje e ka bërë Tiranën një prej stacioneve të rëndësishëm të muzikës klasike në botë. “Këtu kanë kaluar këngëtarë nga më të mrekullueshmit që sot këndojnë në skenat e botës”, do të shprehej drejtori muzikor Robert Radoja, pak ditë përpara nisjes së edicionit të 17-të, në mbrëmjet e 19 dhe 20 prillit, në sallën e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”.

Në këtë edicion marrin pjesë 15 konkurrentë, përzgjedhur mes 270 pretendentëve, nga e gjithë bota si Italia, Spanja, Rusia, Ukraina, Turqia, Kina, Koreja, Shqipëria, Franca dhe Greqia. Të ftuar specialë gjatë dy netëve do të jenë tenori Murat Karahan dhe violinisti Elvin Hoxha. Për Zana Çelën, themeluese e këtij festivali, njëherazi drejtore e TKOB-it, dy dekada më herët, ishin të paimagjinueshme përmasat dhe reputacioni që ka fituar nga viti në vit.

 “Kur lindi ky festival nuk e imagjinoja qe ai do ta kthente Tiranën – kryeqytetin tonë në një stacion të rëndësishëm për artistët e rinj të lirikes operistike botërore dhe nuk e imagjinoja që skena e Tiranës të mblidhte çdo vit drejtoret e operave europiane, të cilët vijnë jo vetëm për të gjykuar, por dhe për të gjetur yjet e rinj për teatrot e tyre.”

Festivali operistik “Marie Kraja” ka qenë gjithashtu furnizues i solistëve në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. “Ishte dëshira e jashtëzakonshme për t’u përfaqësuar në botë me traditën tonë të madhe operistike”, thotë Çela, ndërsa shton se skena shqiptare edhe pse e vogël ka vend për të pritur dhe prezantuar yjet e rinj botërorë, për t’u dhënë një hap të parë në karrierën ndërkombëtare. Njëzet vjet më parë, kujton drejtori i festivalit Pali Kuke, ishte e vështirë të sillte këngëtarë nga bota në Shqipëri.

Konkurrentët e këtij viti, siç kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit e që do të këndojnë ariet dhe këngët më të bukura të repertorit botëror janë bas baritoni ukrainas  Vsevolod Ishchenko dhe tenori rus Kirill Matveev, nga Koreja e Jugut mezosopranoja Sera Jung dhe basi Dongho Kim, tenori kinez Li Biao, sopranoja greke Evita Chioti, ndërsa nga Turqia vijnë baritoni Faik Mansuroglu dhe mezosopranot Hatice Zeliha Kokcek dhe Ezgi Karakaya. Nga Italia vjen tenori Daniele Lettieri, nga Franca sopranoja Gloria Tronel dhe nga Spanja tenori Gillen Munguia. Shqipëria në këtë edicion prezantohet nga basi Xhieldo Hyseni dhe sopranot Nina Muho dhe Renisa Laçka.

Këta artistë të rinj do të gjykohen nga një juri ndërkombëtare, e cila kryesohet nga Nicholas Payne, drejtor i “Opera Europa” në Bruksel dhe Londër, Pierangelo Conte, koordinator artistik i Operës së Firences Maggio Musicale Fiorentino, Murat Kahrahan, drejtor i Teatrit Shtetëror të Operas dhe Baleti Shtetëror në Turqi, Danusa Luknisova nga agjencia italiane e artistëve “Dankart” dhe Zana Çela, drejtore e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Do të paraqiten jo vetëm me arien që ata zgjedhin e që u pëlqen dhe që është filtruar, por do të vijnë dhe do të ndezin atmosferën për publikun me ato këngët legjendare të kombësive të tyre apo të bashkëkombësive të tjera fqinje, që kanë hyrë në zemrën e spektatorëve për alegrinë dhe për vlerat e mëdha që kanë këto balada të famshme”, do të zbulonte drejtori artistik Pali Kuke rreth repertorit të konkurrentëve në këtë edicion të festivalit ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”.

 

Më Shumë