Muzike

Festivali i 41 i këngës arbëreshe/ 3 net me muzikë shqiptare ndezin San Demetrion

Në San Demetrio, i njohur si Shën Mitri, në Kalabri, është mbajtur  edicioni i 41-të i Festivalit të Këngës Arbëreshe.

Festivali është ndër nismat e para dhe më të rëndësishme të organizuara nga shqiptarët e Italisë për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore.

Për 3 net me radhë, në skenë kanë performuar 20 grupe e këngëtarë, jo vetëm arbëreshë, por edhe nga trojet e tjera shqiptare.

“Jemi grup i vjetër, këndojmë vet këngë të vjetra arbëreshe pa instrument pa asgjë vetëm me gojën tonë”, tha pjesëtari i një grupi.

Lideri i grupit, tregon se kënga e tyre i dedikohet shqiptarëve.

“Këngën që bëra sot i dedikohet gjithë Shqipërisë, gjithë Arbërisë, ‘shqiponja e lirisë’ është një këngë që ne na jep një forcë, fuqi dhe ku ne kemi akoma traditën”, tha ai.

Mes këngëtareve të ardhur nga trojet shqiptare ishte edhe Kristi Ndoja, e cila ka rrëfyer se ka kënduar që fëmijë në Kalabri.

“Që e vogël kam ardhur këtu në festivalet e fëmijëve, pastaj kam ardhur 4 vite në festivalin e të rriturve, por këtë vit kam ardhur me një risi ndryshe, me një muzikë të lehtë jo me motive arbëreshe, ku përfaqësoj vendin tim”, theksoi Kristi Ndoja.

Festivali i Këngës Arbëreshe u mbajt në datat 10, 11, 12 gusht.

Festivali i arbëreshëve lindi si ide në vitin 1980, siç edhe ka nënvizuar krijuesi i kësaj ngjarjeje kulturore Giusseppe D’Amico, nga trashëgimia e pasur muzikore e arbëreshëve që përbëhej nga “vjershat” (këngë tradicionale) mjaft të përhapura tek të rinjtë.

Në këtë mënyrë lindi nevoja dhe dëshira për të prodhuar këngë të reja si në tematikë edhe në ritme, duke pasuruar muzikologjinë arbëreshe.

Ndër të tjera, muzika ka shërbyer edhe si një formë për trashëgiminë e gjuhës arbëreshe ndër breza.

Ndër vite ky festival ka prodhuar qindra këngë të reja dhe ka promovuar në tregun muzikor autorë e interpretues të rinj. Por njëkohësisht është bërë edhe “simboli” dhe “flamuri” i pasardhësve të Skënderbeut, një bashkësi e gjallë dhe moderne që ripërtërihet në traditë.

Përpos gjuhës, arbëreshët kanë trashëguar dhe veshjet që i japin edhe më shumë ngjyra festivalit, i cili lindi si një domosdoshmëri për të ruajtur dhe shtuar trashëgiminë e pasur muzikore të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë