Rend dhe Ligj

Festat e fundvitit, policia rrit sigurinë në të gjithë vendin në sheshe, lokale e pedonale

Gazeta Si - Për shkak të festave të fundvitit, policia ka rritur nivelin e gatishmërisë dhe sigurisë në të gjithë vendin.

Në një njoftim për shtyp, thuhet se masat shtesë, janë marrë duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, në kufirin e gjelbër, në akset rrugore dhe në qendrat e banuara.

Kështu, përgjatë Krishtlindjeve dhe natës së ndërrimit të viteve, do të ketë prezencë të shtuar të forcave të policisë në zona, akse dhe segmente të ndryshme rrugore.

Për netët festive, por dhe gjatë ditëve të fundit të vitit, do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, duke bashkëpunuar edhe me policitë bashkiake përkatëse.

Gjithashtu, efektivët e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.

Nga ana tjetër, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të  bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.

“Për garantimin e rendit dhe të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Masa shtesë janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë