Motosport

Ferrari, sinjale “martese” me kampionin Hamilton në 2020-ën

Luis Hamilton, kampion i botës me Mercedesin, mund të kalojë te Ferrari, skuderia e njohur italiane. Kontrata e pilotit anglez me Mercedesin skadon në 2020-ën dhe Binoto lë shpresë për kalimin e tij te Ferrari, kur shprehet: "Luis është një pilot fantastik".

Një sinjal e kishte dhënë Toto Volf gjatë një interviste në maj, në “Çmimin e madh të Spanjës”, kur u pyet, nëse binomi fitues Mecedes-Hamilton një ditë mund të prishej. "E di që një ditë mund të ndodhë, - ishte përgjigja e Volf për “të përkëdhelurin” e tij. – Kemi folur hapur mes nesh. Ferrari është një markë fenomenale, më prestigjiozja në Formula 1, ndaj çdo pilot ëndërron ta fitojë titullin me këtë makinë. Por edhe Mercedesi ka një histori të madhe dhe këto vite po rritemi shumë. Dhe Luis është krenar për këtë gjë. Shpresoj që ai të fitojë tituj të tjerë me ne, por e di që të gjithë kanë dëshirën të shkojnë te Ferrari”.

Një deklaratë që tani është edhe më aktuale. Në 2020-ën anglezit i skadon kontrata me Mercedesin dhe sapo të mbyllet ky sezon, do të nisë bisedimet për rinovimin. "Po diksutojmë për të ardhmen mes nesh, por edhe me drejtues të tjerë të Mercedesit. Të shohim çfarë do të ndodhë në dimër. Edhe mua do të më pëlqente ta dija, nëse Luis dëshiron të qëndrojë apo të largohet. Unë dhe ai kemi ardhur bashkë në këtë skuadër, kemi bërë të njëjtën rrugë në 7 vitet e fundit. Kam shumë besim se do të vazhdojmë bashkë”, - shton Volf.

Luis Hamilton, pas fitores në Meksikë. Gazeta Si, 30 nëntor 2019

Ka edhe faktorë të tjerë që duhen marrë në konsideratë. Para së gjithash, ana ekonomike. Hamilton përfiton 45 milionë euro në sezon sipas kontratës që ka me Mercedesin, që detyrimisht do t’i afrojë të njëjtën shifër ose më shumë për rinovimin. Aq më shumë duke ditur që Ferrari po tenton t’ia marrë kampionin e botës. Që në kohën e Luka di Montexemolos dhe Stefano Domenikalit interesimi i skuderisë italiane për pilotin anglez ka qenë i fortë. Sipas “Gazzetta dello Sport”, ka pasur gjatë këtij viti dy takime mes presidentit Xhon Elkan dhe Luis Hamiltonit. Sigurisht që kanë folur për Formulën 1 dhe një bashkëpunim të mundshëm. Numri 1 i Ferrarit, është një fans i madh i anglezit.

Sa e vështirë do të jetë marrëveshja? Shumë. Dyshimi kryesor lidhet me faktin se për Ferrarin është shumë e vështirë të menaxhojë një “rockstar” si Hamilton, një personazh shumë i pavarur në jetën e tij. Pozitiv është fakti se anglezi është ka një admirues i madh për historinë e Ferrarit. Ai ka bërë disa vizita sekrete në fabrikën e Maranelos, ku ka drekuar me Piero Ferrarin. Ndoshta është ky një premtim për një “martesë” mes palëve në 2020-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë