Motosport

Ferrari “blindon” Leklerk, rinovim deri në 2024-ën me trefishim page

Një kontratë e re prej 5 vjetësh si dhuratë për Krishtlindje. Ferrari “blindon” zyrtarisht francezin Sharl Leklerk deri në vitin 2024. Njoftimi është dhënë mëngjesin e sotëm, ku saktësohet se paga e pilotit do të trefishohet. Ai do të fitojë në vazhdim 9 milionë euro në sezon. Kontrata e mëparshme e 22-vjeçarit skadonte në vitin 2021, kështu që zgjatja e saj është edhe për tre vjet të tjera.

Kampionati i parë me Ferrarin ishte pozitiv për Leklerk, i cili e mbylli në vend të 4-t, me 2 fitore dhe 7 “pole position”. Një paraqitje më e mirë se e shokut të skuadrës, Sebastian Fetel, i cili merr 35 milionë në vit, ndaj dhe ishte e domsodoshme rritja e pagës për francezin. Skuderia italiane siguron kështu të ardhmen me talentin Leklerk, pasi duke ditur që kontrata e tij skadonte në 2021-shin, kishte filluar interesimi nga disa skuderi të tjera, mes tyre edhe nga Mercedesi.

https://twitter.com/ScuderiaFerrari/status/1209054787125297152
Njoftimi zyrtar i Ferrarit për rinovimin me Leklerk. Gazeta Si, 23 dhjetor 2019

Menjëherë pas zyrtarizimit të kontratës së re, Leklerk është shprehur: "Jam jashtëzakonisht i lumtur për rinovimin me Ferrarin. Sezoni që sapo përfundoi si pilot i skuadrës më prestigjioze të Formulës 1, ishte i shkëlqyer për mua. Mezi pres që raporti ynë të bëhet edhe më i ngushtë. Kam shumë emocione dhe e pres sezonin e ri me shumë entuziazëm”.

Për rinovimin e Leklerk ka folur edhe një nga drejtuesit më të lartë të Ferrarit, Matia Binoto, i cili ka theksuar: "Vendimi dhe dëshira për zgjatjen e kontratës me Sharl kanë ardhur natyrshëm. Kemi siguruar bashkëpunimin me pilotin tonë edhe për 5 sezonet e ardhshme. Ai është pjesë e familjes sonë që prej 2016-ës dhe jemi krenarë për frytet e punës që po marrim nga akademia. Prandaj jemi shumë të lumtur të bëjmë të ditur se Leklerk do të jetë me ne për shumë vite dhe mezi po presim të shkruajmë historinë së bashku".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë