Motosport

Fernando Alonso pranë rikthimit në Formula 1

Fernando Alonso është një hap larg rikthimit në Formula 1. Sipas mediave spanjolle pritet brenda të mërkurës njoftimi për firmën e tij mbi kontratë për 2021 me Renault, skuadra me të cilën është shpallur kampion bote në 2005 e në 2006. Alonso, eksperienca e fundit e të cilit ka qenë me McLaren në 2018, do të zëvendësojë Daniel Ricciardo, që ka një akord për sezonin e ardhshëm me McLaren.

Fernando duket kështu gati të kthehet në pistë pas dy vjetësh mungesë me eksperienca nëpër botë, mes Indy 500, 24h të Le Mans e Dakar. Gjatë fundjavës së parë të Formula 1, drejtori i përgjithshëm i Renault, Cyril Abiteboul, kishte thënë se skuadra “do të synonte një pilot të rëndësishëm” dhe emri i Alonso qarkullonte që kur Ricciardo kishte firmosur për McLaren, në ditët e para të njoftimit për kalimin e Sainz te Ferrari.

Mbetet ende për të hedhur firmën mbi kontratë, por marrëveshja është praktikisht e mbyllur: në moshën gati 40 vjeçare dy herë kampioni i botës do të kthehet të drejtojë një makinë F1. Objektivi është rikthimi duke përfituar nga ndryshimi i rregullores teknike, fillimisht parashikuar në 2021 por pastaj spostuar në 2022 për shkak të pandemisë.

Alonso në karrierë ka arritur 32 fitore në Formula 1, nga të cilat 17 me Renault, por podiumi i fundit i takon 2014, kur e mbylli në vendin e dytë GP të Hungarisë me Ferrarin. Në katër vjet me McLaren para tërheqjes nuk arriti kurrë më shumë se vendi i pestë në garë dhe i 10-ti në kampionat. Në çdo rast, F1 është gati të përqafojë një nga legjendat e këtij sporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë