Treg

Fermerët: Qeveria s’do të japë para dhe vështirëson aplikimin për subvecionet

Ramadan Krasniqi, fermer rreth të 70-ave gjendet në klinikën veterinare të Ervin Resulit për të biseduar në lidhje me aplikimin për subvecionet e skemës kombëtare për fermerët.

Krasniqi është i mirë në punët e bujqësisë, por me internetin nuk di nga t'ia nisë.

Ervina Resuli, veteriner dhe ekspert në fushën e bujqësisë, thotë për Gazetën “Si” se u ka bërë thirrje fermerëve që të shkojnë pranë klinikës së tij që t'u vijë në ndihmë për aplikimin on-line për të përfituar nga subvecionet e qeverisë.

“Por për ata që nuk kanë asnjë ndihmë, si i bëhet”? pyet Resuli.

Robert Ramadani dhe ai rreth të 70-ave, nga Semani i Fierit ka një fermë me 7 lopë dhe 300 dhenë.

Ai është përpjekur të aplikojë me ndihmën e fëmijëve, por nuk ka arritur.

“Unë nuk marr vesh fare nga këto punë. Fëmijët u munduan, por nuk ia arritën. Kërkon një kod që nuk dimë çfarë është. Gjithmonë kam punuar me krahët e mia, asnjëherë nuk më ka ndihmuar qeveria. Nëse unë do të shkojë për hallet e mia në Tiranë, apo të pyes  se si të aplikoj, do të thotë që këto kafshë ti mbyll brenda dhe të humb disa ditë punë. E çfarë kuptimi ka subvecioni pastaj?”- thotë fermer Ramadani që nga gjithë “kumritë që më rrotullohen në mendje, më vret ndërgjegja  që i kam mbajtur fëmijët këtu dhe u kam prishur të ardhmen”.

Pojan, Fier

Kurse Resuli mendon që vendimi i Ministrisë së Bujqësisë që fermerët të aplikojnë on line në e-albania është qesharak dhe tallës, “ashtu siç ka vepruar pëherë me sektorin që vetëm me 45 mijë fermerë të ligjëruar i japin këtij shteti 20% të Produktit të Brendshëm Bruto. Qeveria ka vënë në dispozicion këtë vit gati 6 mln euro. Shumë e cila nuk del për të mbështetur fermerët. Kosova ka këtë vit 25 mln euro. Aplikimi on line është një mënyrë që të djegë që në fillim gjysmën e fermerëve. Mosha mesatare e fermerëve në Shqiëpri është  55 vjeç. Përpos atyre që  e kanë pasur pasion teknologjinë, pjesa më e madhe nuk kanë një smart phone, tablet apo kompjuter. Një pjesë e mirë tjetër janë në zona ku ka ende mungesë të theksuar të energjisë elektrike. Fermerë të regjistruar janë 45 mijë nga 350 mijë gjithses. Gjysma nuk do të aplikojë dhe qeveria në fund do të thotë që jemi të kënaqur se të gjithë që aplikuan fituan”.

Resuli mendon se nëse do të ligjëroheshin edhe 45 mijë fermerë të tjerë dhe qeveria do t'i mbështeste seriozisht, kontributi i sektorit të bujqësisë në ekonomi do të dyfishohej.

“Nga tryezat e zhvilluara, argumentet e qeverisë janë që nuk konkurojmë dot as rajonin, as Europën. Nuk kemi fuqi dhe para. Ky nuk është argument. Ne kërkojmë që të përmirësojmë tregun e brendshëm. Për efekt politik dhe electoral qeveria u jep lëmoshë pensionistëve 3000 lekë. Ka injëktuar në ekonomi për këtë fond 20 mln euro. Nëse do pensionistët iu rrit pensionet, jo u jep lëmoshë. Por megjithatë, kjo tregon se ka para qeveria. Një shumë të tillë të injektonte edhe për bujqësinë dhe  do ti merrte mbrapsht në ekonomi. Jemi i vetmi vend në rajon, Europë dhe botë që tregtinë e jashtme e kemi të orientuar tek importet në raportin 70 me 30 %. Ne kemi ferma mishi dhe importojmë mish argjentinas që qendron 3 muaj në anije duke kapërcyer opeanin dhe derdhim 150 mln euro për mish importi. Kjo është çmenduri”, thotë Resuli.

Për të bujqësia shqiptare ka potenciale për tu rritur dhe zhvilluar në mënyrë të qendrueshme, por qeveria nuk do. Pandemia, thotë ai, ishte një shkelm për ta hedhur bujqësinë në humnerë, por problematikat e thekshme kanë qenë më parë.

Sipas Resulit, aplikimi për subvecionet duhet bërë thjesht me mjet identifikimi dhe grupi I monitorimit të verifikojë në terren ekzsistencën e bagëtive në këtë rast.

Prej ditës së mërkurë ka nisur fushata e informimit për fermerët nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për fondet e Skemës Kombëtare 2020.

Pas fushatës së informimit në të gjithë vendin, fermerët do të kenë mundësi të bëjnë aplikimet e tyre prej datës 29 maj deri më 19 qershor. Këtë vit aplikimet do të bëhen online me zero dokumenta përmes portalit E-Albania. Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë në të gjithë vendin.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë