Gazeta Si – Edmond Tarkaj nuk do të jetë më në krye të Policisë së Beratit pas skandalit me sasinë e madhe të kanabisit që u gjet në një serë pak ditë më parë në fshatin Drenovicë. Ish-kreu i policisë së këtij qyteti do të zëvendësohet nga Kastriot Skënderi.
Gjithçka ndodhi pasi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thelloi hetimet mbi përfshirjen e punonjësve të policisë në këtë skandal, ku një serë ishte kthyer në bazë të rëndësishme të mbledhjes së përpunimit të kanabisit, gjë e cila bëhej përmes një numri të madh punëtorësh ditorë.
Sa i përket Skënderit, mësohet se deri më tani ai mbante postin e këshilltarit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërsa më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Policisë së Tiranës.
Deri më tani hetimi është në duart e prokurorisë së Beratit e cila po heton veprimtarinë e 11 personave të arrestuar si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale dhe po verifikon rolin edhe të 95 punonjëseve gra të cilat përpunonin hashashin.
Prokuroria po verifikon nëse kjo kompani e mirëfilltë hashashi ka marrë garanci nga struktura të veçanta në policinë vendore. Hetimi po asistohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes policore.
Serat me lëndë narkotike u zbuluan nga policia në datën 10 Nëntor, gjatë operacionit të koduar “Stuhia”. Policia gjeti dhe sekuestroi brenda këtyre serave 8 thasë me boçe kanabisi me peshë 871 kilogramë dhe 700 arka të mbushura me kanabis në proces tharje.
11 persona u arrestuan nga policia gjatë aksionit, të cilët dyshohen si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjykata e e Beratit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për të 11 të dyshuarit, ku 4 prej tyre ishin anëtarë të një familjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.