Futboll

Ferguson zbulon: Fola me pronarët e klubit, s’mund ta shihja Ronaldon te Siti

Rikthimi i CR7 në “Old Tarfford” i ka ekzaltuar të gjithë, përfshirë edhe Sir Aleks Ferguson, babanë futbollistik të sulmuesit portugez. Të dy janë shumë të lidhur, kjo dihet. Ish-trajneri i Mançesterit ka shfrytëzuar gjithë karizmën e tij për të përshpejtuar rikthimin e Ronaldos, aq me tepër kur në mes ishte edhe Mançester Siti.

"Shumë persona kënë bërë pjesën e tyre. Edhe unë kontribuova, duke ditur që Kristiano donte vërtet të vinte këtu. Klubi ndoqi situatën, unë fola me pronarët Glazers dhe marrëveshja u mbyll shpejt. E rëndësishme është që gjithçka shkoi në drejtimin e duhur. Është shumë emocionuese ta shoh sërish te Mançesteri, ndjeva kënaqësi. U ndjeva vërtet i çliruar, kur e pashë në Angli me fanellën e Junajtid. Nuk mund ta imagjinoja Ronaldon të luante për Mançester Sitin", - ka thënë Ferguson.

Kristiano Ronaldo. Gazeta Si, 14 shtator 2021

Skocezi në fakt, para se të tërhiqej, kishte tentuar ta rikthente portugezin në Angli, siç ka konfirmuar Patris Evra pak kohë më parë. Francezi ka thënë për faqen zyrtare të Mançester Junajtid se pak javë para se të linte stolin në 2013-ën, Ferguson kishte gati dy goditje për të ndryshuar situatën në skuadër dhe në gjithë futbollin europian. Ish-trajneri ishte i bindur se me CR7 dhe Bejl, Junajtid do të ishte i pathyeshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë