Njerez

Fëmijët kërkojnë mbështetje për prindërit e alkoolizuar

Numri i adoleshentëve që kërkojnë ndihmë për të përballuar një prind të alkolizuar është trefishuar gjatë pesë viteve të fundit.
Shoqata Kombëtare për Fëmijët e të Alkoolizuarve në Mbretërinë e Bashkuar, ka marrë më shumë se 23.000 thirrje dhe mesazhe vitin e kaluar nga mosha 18 vjeç, krahasuar me 6.400 në vitin 2013 të cilë kërkojnë ndihmë pasi jetojnë me prindër të alkoolizuar.
Ekspertët thonë se në të ardhmen do të ketë shumë fonde për të mbështetur familjet që kanë persona të alkoolizuar në shtëpi. Sipas departamenti të shëndetësisë, do të investohen 6 milionë dollarë për të trajtuar këta prindër.
Amelia dhe Joe Carr nga New Castle, tregojnë historinë e tyre se si u rritën me praninë e një babai të alkoolizuar. Gjenda e tij u bë më e rënduar kur Joe ishte 13 vjeç dhe Amelie ishte vetëm pesë vjeç. Ata tregojnë se ai vazhdoi të pinte deri në momentin që vdiq.
“Ishte një ndër gjërat më të tmerrshme që mund të shikoja, babin tim të alkoolizuar dhe në rrugë” thotë Joe.
“E pashë të ndjehej i zhgënjyer nga vetja dhe mbante veshur rroba të pista, ndërkohë që ishte i ulur te porta e një shtëpie me shishe në dorë. Kur e pashë në atë gjendje e gjithë dashuria ime u zëvendësua me keqardhje” shtoi Joe

Joe dhe Amelie në familjen e tyre kur ishin të vegjël

Fëmijët, prindërit e të cilëve janë të alkoolizuar thuhet se kanë më shumë gjasa të bëhen, edhe ata të alkoolizuar në të ardhmen.
Edhe Joe kur u rrit pari probleme me alkoolin, por në momentin që u bë prind hoqi dorë, megjithatë ideja që e kaluara kishte ndikuar tek ai, ishte vërtet e dhimbshme.
“Ndoshta unë nuk doja të ndihmoja vetën, por duhet të hiqja dorë nga alkooli për fëmijët e mi, gjë të cilën babai im nuk e bëri kurrë,” shprehet ai.
Ai kujton kohën kur familja ishte e lumtur, deri në momentin që babai i tij filloi të pinte çdo ditë. Por Amelia, e cila është tetë vjet më e vogël nga vëllai i saj, e vetmja gjë që kujton nga fëmijëria është babi i saj duke pirë, të cilin e gjenin nëpër cepa pallatesh. Ajo shprehet se u ndje shumë e lehtësuar kur ai vdiq.
“Ndoshta të gjithë do më gjykojnë për këtë që mendoj, por pavarësisht gjithçkaje ai kishte vdekur kohë me përpara. Ai shpëtoi. Gjithkush rreth meje ndjehej i hidhëruar, por unë thjesht nuk ndjeja një gjë të tillë,” shprehet Amelie.
Shoqatat e të Alkoolizuarve, thonë se afërsisht një në tre persona kanë probleme me alkoolin kur rriten. Një zëdhënës i tyre shprehet se fëmijët e personave të alkoolizuar duhet të kenë më shumë mbështetje dhe lehtësi aksesi në shërbime të ndryshme sociale.

Joe dhe Amelie të rritur

Shoqata Kombëtare për Fëmijët e të Alkoolizuarve, i mbështet ata që kanë jetuar një fëmijëri me probleme nga prindërit e alkoolizuar.
Stephanie Page, drejtoresha e kësaj shoqate, tha se fëmijët ndjehet të zëmëruar dhe në faj vetëm nga pakënaqësia që i’u kanë falur prindërit e tyre.
Ajo gjithashtu u shpreh se fëmijët me prindër të alkoolizuar janë të aftë për t’u përballur me sfidat që ju krijon jeta.
“Duke qenë se prindërit nuk i kanë ofruar asnjë gjë tjetër në jetë fëmijëve për veç alkoolit, për ta ka vetëm dy mënyra se si do të rriten. E para është që do të përfundojnë si prindërit e tyre, ndërsa e dyta është që do të bëhen më të fortë për të përballuar një sërë problemesh,” shtoi ajo.
Një zëdhënës nga Instituti i Shëndetit Social tha se, mund të jetë shumë e dëmshme që një fëmijë të rritet nga një prind i alkoolizuar dhe mund t’i çojë ata në dëmtime të përjetshme.
“Ne po investojmë 6 milionë dollarë për të mbështetur fëmijët e prindërve të varur nga alkooli dhe shërbimet që përfshijnë, trajtimin nga alkooli për t’i përgatitur për të ardhmen dhe shërbime të tjera për mirëqenien e shëndetit mendor të tyre,” u shpreh ai. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë