Njerez

Fëmijët e promocionit, Eraldi 14-vjeç: Punoj 5 orë për 700 lekë në ditë

Nga Gazeta 'SI' - Eraldi është 14-vjeç dhe sapo ka mbaruar shkollën 9-vjeçare në Tiranë. Me origjinë nga Gjirokastra por me banim në Selitë, ai prej disa muajsh ka nisur punë si shpërndarës fletushkash promocioni, ato që gjejmë në pragjet e dyerve gjatë ditës.

Sapo ka mbërritur në kryqëzimin e “Zogut të Zi”, bashkë me disa fëmijë të tjerë moshatarë, të shoqëruar nga menaxheri i kompanisë. Detyra e tij është të shpërndajë 1.000 fletushka në ditë. Për të fituar 700 lekë gjithsej.

Eraldi, trupvogël, por më i pjekur se mosha që ka, të tregon teksa e pyet sesi u gjet në këtë punë.

“Ma gjeti babi. Ai dhe mami punojnë. Në shtëpi kam një motër që shkon në kopësht. Puna më pëlqen, unë zakonisht mbuloj zonën e “Zogut të Zi”, ku shpërndaj rreth 1 mijë fletë. Nuk lodhem sepse nga Selita më marrin e më sjellin me makinë menaxherët. Me pagën jam i kënaqur sepse paratë i mbaj vetë”, thotë djaloshi.

Por duket se për të është fat të gjesh një punë sot.

“Nuk kam dashur të shkoj në shkollë të mesme. Ku do ti gjeja këto para? Madje dua ta kem këtë punë përherë, thotë me naivitet Eraldi, teksa i duket se është me shumë fat që paguhet 20 mijë lekë në muaj, kur moshatarët e tij nuk punojnë.

Nëse e pyet se a i duket pak të paguhet për 5 orë vetëm 700 lekë në ditë, ai të përgjigjet menjëherë, se nuk ka alternativë tjetër.

Eraldi thotë se vështirësinë më të madhe e ka me ashensorët që në shumicën e rasteve janë me çip dhe atij i duhet të vrapojë shkallëve në katet e larta që në pjesën më të madhe janë 10-katësh.

“Lodhem, por kam një limit ore dhe menaxherët presin jashtë pallatit që ne të mbyllim punën sa më shpejt. Nuk e kemi të lehtë sepse duhet të nxitojmë që t'i mbyllim brenda drekës”, thotë djali.

Eraldi nuk e di se të punosh 14-vjeç është jashtë ligjit. Ai nuk e di as faktin që për një punë 5-orë po paguhet shumë më pak nga se mund të merrte dikush tjetër në moshë madhore, nëse kompanitë apo subjektet e biznesit do të zbatonin Kodin e Punës, sipas së cilës, mosha për punë e fëmijëve është 16-vjeç apo do të zbatonin rregulloren për pagën minimale që sot është rritur mbi 30 mijë lekë.

Por duket se nevoja për punë e bën djalin sot “të fluturojë” nga një pallat në tjetrin, nga një lagje në tjetrin.

“Jam i kënaqur sepse këto para janë të miat. Mbaj veten me to dhe nuk i dihet se mund të më duhen. Nuk kam asnjë plan deri tani. Di që dua ta bëj këtë punë, sepse s’di të bëj gjë tjetër”, thotë 14-vjeçari.

As synimi për një zanat, as nevoja për një profesion nuk e nxisin të punojë për të nesërmen, jo.

Eraldi punon për të tashmen. Për të ardhmen e tij, askush.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë